Nga Martin DEDAJ
Stafi teknik i skuadrës së futbollit Besëlidhja, me në krye trajnerin Dritan Smajli, po i japin dorën e fundit përgatitjeve për ndeshjen e parë të kampionatit, që do të zhvillohet ditën e shtunë me datë 21.09.2024, ora 16:00, në stadiumin Besëlidhja të qytetit të Lezhës.
Në edicionin futbollistik 2024-2025, skuadra lezhjane do të jetë pjesë e grupit A të kategorisë së dytë, së bashku me ekipet; Albanët, Murlani, Iliria, Adriatiku, Tërbuni, Veleçiku, Basania, Naftëtari, Sopoti, Luzi, dhe Gramshi.
Kalendari në javën e parë na ka vënë përballë ekipit të Albanëve, ndeshje e cila duhet vlerësuar maksimalisht, për të marrë prej saj tre pikët e mundshme, dhe për ti bërë një fillim të mbarë këtij sezoni, që pritet të jetë i vështirë për vetë konkurencën që do të ketë dhe se shumë skuadra si; Naftëtari, Tërbuni, Adriatiku, Basania etj, që kanë shpallur në objektivat e tyre, synimin për të qenë pretendente për në kategorinë e parë!
Besëlidhja nga ana e saj, pas një fazë intensive stërvitore po konsolidohet gjithnjë e më mirë në të gjitha repartet. Stafi teknik tashmë e ka një optikë të qartë për gjendjen dhe mundësitë e ekipit, ndaj synon dhe beson për një fillim të mbarë të kampionatit në ndeshjen përballë Albanëve, përballimin me sukses të tij, duke paraqitur në fushë vlerat më të mira të saj.
Pavarësisht opinioneve dhe paragjykimeve të ndryshme nga individë të ndryshëm, në optikën time, bazuar në stërvitjen intensive dhe tejet profesionale, të drejtuer nga trajneri Smajli dhe stafi i tij në këto tre javë stërvitore jam i bindur se shumë shpejt ky grup lojtarësh që stafi teknik ka në dispozicion, do të jetë dinjitoz e konkurues, dhe do të bëjnë të mundur, që shumë shpejt skuadra lezhjane do të tregojë karakterin e saj për të treguar se do te jetë aty ku i takon, për vetë historinë dhe lavdinë që ekip ka në historinë e futbollit shqiptar.
Duhet theksuar fakti se, Besëlidhja e këtëj edicioni ka në radhët e saj mbi 80% të lojtarëve, që kanë luajtur edhe sezonin e kaluar, të cilët do të jenë boshti kryesor i skuadrës. Gjatë kësaj periudhe ekipit i janë bashkuae edhe lojtarë të rinj, disa prej të cilëve sipas stafit teknik përmbushin kriteret për të qenë alternativa cilësore në formacionin bazë.
Kjo ka nxitur rritjen e garës brenda grupit, dhe është një bonus pozitiv për stafin, që midis disa alternativave të bëjnë zgjidhjet më të mira të mundshme, në ndërtimin e formacionit dhe zëvëndësimet, që do të diktohen gjatë lojës në ndeshjet e këtij kampionati, filluar nga ajo e të shtunes.
I urojmë suksese skuadrës Besëlidhja, stafit teknik të saj, dhe presidencës! Rrugëtim të sukseshëm në këtë kampionat dhe fitore ndaj Albanëve! Dhe ju bëj thirrje tifozërisë së zjarrtë lezhjane, që ashtu siç e kanë zakon dhe dinë vetë ata, të mbështesin pa rezerva ekipin Besëlidhja, dhe me qytetarinë dhe entuziazmin që i karakterizon, të bëhen pikë e fortë mbështetëse për ekipin në këtë ndeshje të parë, si dhe gjatë gjithë kampionatit.