Nga Martin DEDAJ

Besëlidhja ka lënë dy pikë të çmuara në përballjen në transfertë me Veleçikun, teksa ndeshja e vlefshme për javën e gjashtë të kampionatit është mbyllur në shifrat e bardha 0-0.

Rezultat i cili duhet thënë se nuk i vlen asnjërës palë, e aq më tepër skuadrës lezhjane, që nuk mundi të përfitojë, nga ndalesa e kryesueses Luzi Vogël në Fushë-Krujë, përballë Ilirisë, që përfundoi 1-1, e shoqëruar me tensione.

Në rast të një fitoreje sot, Besëlidhja do të merrte kryesimin, duke hedhur një hap të rëndësishëm, në konsolidimin e saj drejt rikthimit në kategorinë e parë. Por nuk qe e thënë të ndodhte kështu, duhet thënë se; shyqyr që nuk humbëm.

Pesha e këtyre dy pikëve të humbura dhe e tre të tjerave në Lezhë ndaj Ilirisë (në javën e tretë), do të jetë e madhe, ndaj sa nuk është vonë, duhet një analizë dhe reflektim me përgjegjësi në funksion të rregullimit të gjërave, së pari nga vetë lojtarët të cilët janë protagonistët kryesorë, dhe që paguhen për të dhënë maksimumin e mundshëm në fushë.,

Në këndvështrimin tim ndeshja e sotme ndoshta ka qenë më e dobta e këtij kampionati, dhe duhet të shërbejë si pikë referimi për të evidentuar dobësitë, korrigjuar gabimet dhe ecur përpara!