Besëlidhja është si një makineri e vërtetë fitoresh në Superligën e basketbollit për meshkuj. Lezhjanët kanë siguruar suksesin radhës në kampionat, teksa dje mposhtën Kamzën në ndeshjen hapëse të javës së 12-të. Kampionët në fuqi triumfuan me rezultatin 62-89 në sfidën e zhvilluar në palestrën “Halit Coka” të Bathores.
Një ndeshje që nuk kaloi pa rivalitet, ndërsa skuadra e drejtuar nga Afrim Bilali e bëri diferencën në 15 minutat e fundit, duke hipotekuar edhe suksesin. Takimi nisi me luftë të fortë sportive, me Kazmën që arriti t’i bënte ballë mjaft mirë kampionëve në periodën e parë, fraksion që u mbyll me avantazhin minimal të lezhjanëve 18-19. Miqtë morën edhe çerekun e dytë 17-22, duke shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 35-41.
Kamza u fut mjaft mirë në lojë në periodën e tretë, duke arritur madje edhe të përmbysë, për të kaluar në shifrat 51-47, kur kishin mbetur edhe 4 minuta nga fundi i periodës. Megjithatë kualiteti, organika dhe organizimi i miqve dolën në pah, teksa Besëlidhja rikuperoi shpejt, për ta fituar periodën 19-23, duke shkuar në +10 pikë, në shifrat 54-64 pas 30 minutash lojë. Perioda e fundit nuk kishte më histori, pasi lezhjanët shpërthyen dhe bënë çfarë deshën në parket, duke e marrë periodën 8-25, për të vulosur fitoren me +27 diferencë.
Një sukses që e “saldon” edhe më shumë vendin e parë të Besëlidhjes, ndërsa Kamza vijon rënien e lirë, duke regjistruar humbjen e pestë radhazi, për t’u pozicionuar në fund të tabelës. Katër lojtarë të Besëlidhjes prekën kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa shënuesi më i mirë ishte Marcellus Garick, autor i 19 pikëve. Për Kamzën rendimentin më të lartë e kishte Ashton Parker, autor i 12 pikëve dhe 13 kërcimeve.