Besëlidhja ka marrë një fitore deri diku të lehtë ndaj Kamzës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë, sfidë kjo e luajtur mbrëmjen e sotme në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga”.

Ajo mposhti 81-63 Kamza Basket në një ndeshje pa shumë histori. Skuadra lezhjane u shkëput gradualisht nga perioda në periodë, duke mos e vënë në asnjë moment në diskutim fitoren (46-32 mbyllet pjesa e parë).

Kamzalinjtë përpiqen të rikuperojnë por pa forcë, ndërsa Besëlidhja bën detyrën. Angle me 15 pikë ishte shënuesi më i mirë për lezhjanët, duke i bërë të pavlefshme 16 pikët e Nnanabu për Kamza Basket.

Në këtë mënyrë tashmë është përcaktuar gjithçka sa i takon çiftit finalist ku Vllaznia do të sfidojë Besëlidhjen. Ndeshja do të luhet ditën e nesërme (e dielë) në ora 17:00 po në pallatin e sportit “Dhimitraq Goga” në Fllakë të Durrësit.(www.shkodrasport.com)