Duket se Besëlidhja e ka të qartë se nëse nuk fiton këtë fundjavë ndaj Elbasanit, pozitat e saj për objektivat që ka për t’u ngjitur në Superligë, ndërlikohen mjaft. Prandaj stafi teknik i lezhjanëve me në krye Ridvan Kullin ka menduar se “arma” më e mirë për të arritur këtë, në transfertë, ndaj një skuadre me traditë siç është Elbasani, mbetet sulmi. Në ndeshjen e kontrollit, që Besëlidhja ka zhvilluar dje, si parapërgatitje për takimin me verdhëblutë elbasanas, ku edhe ka përcaktuar thuajse përfundimisht dhe formacionin anti-Elbasan, është vënë re se 11-shi bazë është i tëri me theks sulmues. Por janë vënë re dhe ndryshime në formacioin e lezhjanëve. Të paktën nga ajo çfarë është parë ditën e djeshme, në stërvitje, edhe pse të duket shumë çudi, mbrojtësi serb Stojkoviç, i cili ka munguar për katër javë kësaj skuadre si rezultat i thyerjes së disiplinës, ka marrë menjëherë fanellën e titullarit në qendër të mbrojtjes së bashku me Peqinin, e duke spostuar futbollistë tjerë në këtë rol, të cilët janë stërvitur me përkushtim dhe angazhim maksimal gjatë gjithë javës. Gjithsesi, duke qëndruar tek formacioni bazë duket se në portë do të jetë i palëvizshmi Xhika, ndërsa në të djathtë të mbrojtjes do të jetë Danaj, qendra me Peqinin dhe Stojkoviç dhe në të majtë Kepi. Mesfusha do të përbëhet nga tre lojtarë, të cilët janë V.Pepa, Trajkoviç si dhe Ar. Beqiri, vlonjati i ardhur gjatë merkatos së dimrit, që luan për herë të parë (nëse ndodh) si titullar me Besëlidhjen, pasi është dëmtuar Çutra. Edhe ky i fundit ka ardhur në Lezhë në ditët e fundit të mbylljes së merkatos së janarit, por ka shumë mundësi, që të rikuperohet për ndeshjen me Elbasanin. Në të kundërt, i gatshëm do të jetë Ardian Beqiri. Në sulm do të jetë Kaçi, tashmë i konfirmuar si titullar, pas dy golave të shënuar javën e kaluar, së bashku me Miliç dhe Gjeorgjeviç. Ky, është pak a shumë, formacioni lezhjan për takimin e së shtunës, në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia edhe për ndonjë lëvizje tjetër të mundshme të formacionit të Besëlidhjes.

www.shkodrasport.com