Një vit e gjysmë në Lezhë, një në Vlorë dhe tashmë pritet që të bëjë hapin e madh në karrierë. Është fjala për mesfushorin shtatlartë Lancinet Sidibe.

Guineasi i lindur në janarin e vitit 1997 është kthyer në një nga lojtarët më të kërkuar në Superiore, por që ‘sirenat’ e huaja e tërheqin atë dhe klubin e Besëlidhjes.

Presidenti Gjok Noka dhe bashkëpunëtorët e tij janë duke kërkuar që të transferojnë lojtarin nga Guinea në një kampionat elitar të Europës, në mënyrë që të bëjnë përfitime të mëdha por edhe që të rrisin vlerën e klubit të tyre.

Te Besëlidhja gjatë viteve të fundit kanë dalë futbollistë që kanë vlera, por edhe që janë të kërkuar në kampionatin e Kategorisë Superiore.

Jo më larg se dyshja Camara, Sekou dhe Oumar, të cilët janë tashmë pjesë e Teutës në Durrës, tashmë pritet që të bëhet hapi tjetër, transferimi i Sidibe në Francë, Austri ose Kroaci.

Për shtatlartin që luajti 32 ndeshje si titullar në Vlorë te Flamurtari janë interesuar tre skuadra. Eduasportin zbulon në mënyrë ekskluzive kërkesat e Osijek, Bastia dhe Matersburg për futbollistin 21-vjeçar.

Kroatët që militojnë në elitë kanë shprehur dëshirën nëpërmjet menaxherit të lojtarit, ndërsa Bastia që është ngritur në Ligue 2 në Francë ka bërë kërkesë zyrtare, ashtu si edhe Mattersburg nga Bundesliga 1 në Austri. Pritet që klubi lezhjan të shqyrtojë ofertat dhe më pas të vendosë për transferimin e guineasit. /EDS/