
Është padiskutim kyendeshja e javës së tetë mes Besëlidhjes dhe Besës, që do të luhet në Lezhë. Për vendasit është një sfidë dyfishe, pasi përveç se duhet të shfrytëzojnë faktorin fushë, në krahun tjetër kanë përballë një rival direkt për “luftën” për t’u ngjitur në Superligë, siç janë kavajasit. Duke mposhtur këtë kundërshtar, i bie që Besëlidhja të lërë poshtë vetes në renditje, një kundërshtarë më shumë dhe t’i afrohet gjithnjë e më shumë vendit të parë, e pse jo, të pretendojë ta marrë atë, duke shpresuar tek ndonjë surprizë e këndshme e Burrelit në Gjirokastër, ndaj Luftëtarit, që mban vendin e parë. Megjithatë, në radhë të parë, që lezhjanët të pretendojnë këtë, duhet të japin gjithçka në fushën e lojës, në sfidën e sotme, për të mos e diskutuar aspak fitoren dhe për të vazhduar ashtu si më parë, ecurinë pozitive drejt kreut “Si zakonisht në këtë sezon, çdo ndeshje në fushën e tonë, e shohim si një detyrë shtëpie për të marrë maksimumin. S’ka asnjë vend apo hapësirë për eufori. Ne e kemi vlerësuar Besën njëlloj si çdo ekip tjetër në fushën tonë, aq më tepër, kjo kërkon më tepër kujdes dhe përkushtim, pasi është një rival direkt i ynë, në garën për një Superligë. Nesër (sot), na duhet kujdes i madh shumë, për të bërë hapin e radhës, ndeshje pas ndeshjeje”, ka pohuar për gazetën tonë, trajneri i Besëlidhjes, Ridvan Kulli, ku skuadra e drejtuar prej tij dhe financuar nga Gjokë Noka, mban vendin e dytë në Kategorinë e Parë, me 14 pikë, ndërsa Besa e Kavajës, me të cilën do të përballet sot, ka një pikë më pak, 13 të tillë. Në vendin e parë të këtij kampionati ndodhet Luftëtari me 15 pikë, duke patur një ndeshje më pak, me Elbasanin.
