Nga Martin DEDAJ

Ekipi lezhjan i futbollit, Besëlidhja pret sot në ora 14.00, Ilirinë e Fushë-Krujës, ndeshje kjo e vlefshme për javën e tretë, të kampionatit të kategorisë së dytë, grupi A, dhe Besëlidhja do të luajë për të marrë tre pikë, që do të ishin mjaft të vlefshme për ecurinë e ekipit në të ardhmen. Ndërkohë që mbështetja e tifozërisë lezhjane pritet të jetë e madhe.

Stafi teknik me në krye trajnerin Dritan Smajli, dje pasdite i kanë dhënë dorën e fundit stërvitjes së ekipit, ku përgjatë gjithë javës e kanë përgatitur skuadrën, për të qenë e gatshme në të gjitha aspektet, tekniko-taktike, fizike dhe psikologjike për ta përballuar këtë sfidë në të gjithë komponentët e saj.

Formacioni lezhjan është i kompletuar, nuk ka dëmtime dhe as ndëshkime dhe është i motivuar për të dhënë maksimumin e mundshëm në këtë ndeshje, e cila paraqet rëndësinë e vet, por as duhet mbivlerësuar dhe nënvleftësuar jo e jo, ku lezhjanëve u vlen vetëm fitoria, për ti shërbyer ecurisë në të ardhmen.

Besëlidhja është dy pikë para Ilirisë, pasi ka fituar dy ndeshjet e para (3-1 me Albanët dhe 0-3 me Murlanin) dhe sezonin e kaluar u ka marrë 4 pikë fushë-krujasve, teksa e ka mundur në fushën e vet 0-1, dhe kanë barazuar 0-0 në Lezhë.

Nga ana e saj Iliria e Fushë-Krujës, vjen në Lezhë me pretendime dhe synojnë edhe ata fitoren, por dhe barazimi do të ishte rezultat pozitiv për ta. Pavarësisht nga synimet e palëve, ajo që do të vendosë është fusha e lojës, dhe protagonistët e saj, që janë lojtarët.

Nisur nga ajo çfarë kam parë këto ditë në stërvitje dhe lojrat e zhvilluara dy javët e para nga Besëlidhja, mendoj që skuadra ka forca dhe mundësi për ta fituar këtë ndeshje. Dhe duhet të hyjë në fushë me mentalitet fituesi, e të zhvillojë lojë kolektive, duke shfrytëzuar rastet e krijuara dhe gabuar sa më pak. Unë besoj tek kjo skuadër dhe e ardhmja e saj! Ta mbështesim të gjithë sëbashku! Suksese djema! Para Besëlidhja! FITORE!…