Besëlidhja në basketboll për meshkuj nuk ka ndër mend të ndalet dhe pasditen e djeshme ka marrë edhe fitoren e nëntë rradhazi, në po kaq ndeshje të luajtura dhe si rrjedhojë kryeson renditjen e kampionatit, një javë para fundit të fazës së parë të tij.
Fitorja e rradhës pvr djemtë e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali ka qenë ajo ndaj Skënderbeut të vendit të fundit në renditje, fitore që është arritur me plot 74 pikë diferencë.
Për lezhjanët përballja me Skënderbeun e vendit të fundit në “Asllan Rusi” ishte një formalitet. Një sfidë pa histori, e fituar me rezultatin e thellë 136-62 (32-16, 43-12, 31- 11, 30-23). Duke parë edhe rivalin modest, trajneri Afrim Bilali përdori rotacion të gjerë në këtë sfidë, duke aktivizuar vetëm lojtarët vendorë, ndërsa nuk u dha asnjë minutë amerikanëve dhe Julian Hamatit.
Megjithatë, edhe pse me ndryshime të shumta në formacion, Besëlidhja vijoi trendin e sukseseve treshifrore dhe me një fazë mbrojtje të mirë. Diferencat mes ekipeve ishin të mëdha në të katërta periodat, ndërsa gjithçka u mbyll me +74 pikë për lezhjanët.
Gjashtë lojtarë të Besëlidhjes shkuan në kuotë dyshifrore pikësh, ndërsa MVP u shpall Vinsent Grazhdani, autor i 35 pikëve, 19 kërcimeve dhe 2 asistimeve. Për korçarët rendimentin më të lartë e pati Anxhelio Gjikas me 17 pikë, 7 kërcime dhe 2 asistime.