Historia vërtetë flet në emër të Vllaznisë, por në Lezhë nuk duan t’ia dinë për këtë gjë. Në përballjen e sotme, Besëlidhja ka si objektiv të vetëm fitoren ndaj kuqebluve.

Drejtuesit e saj janë të mendimit se shkodranët nuk kanë asgjë më shumë se ata. Për këtë arsye, presidenti Noka e ka grumbulluar skuadrën që mbrëmë me idenë që ajo të përgatitet si duhet për këtë sfidë vendimtare.

Po ashtu, në ndeshjen e së mërkurës për kupë, trajneri Kashami ka lënë pushim disa prej titullarëve vetëm që ata të jenë të gatshëm për të dhënë më të mirën ndaj Vllaznisë.

Në këto rrethana, sfida e sotme që do të startojë në orën 14.00, pritet të jetë shumë “e nxehtë”. Në rast fitoreje të vendasve, ata do të barazoheshin në renditje me kuqebluutë dhe gara për vendin e parë do të hapej.

Në rast të kundërt, shkodranët do thellonin diferencën dhe Besëlidhja duhet të heqë dorë përfundimisht nga pretendimet. Për të mos ndodhur kështu, ata do zhvillojnë një 90 minutësh “për jetë a vdekje” sot.
© shkodrasport.com