Ernest Muçi po përgatitet nën urdhrat e trajnerit Xhovani Van Bronkhorst për sezonin e ri me fanellën e Beshiktashit. Por duket se klubi turk po merr në konsideratë seriozisht idenë e transferimit të sulmuesit shqiptar, duke pasur parasysh se për të ka interesim të vazhdueshëm nga klube të tjera.
Mediat turke kanë raportuar prej kohësh për interesimin e klubeve me emër, mes të cilave edhe angleze për sulmuesin shqiptar. Një hipotezë për të cilën ka folur edhe vetë zëvendëspresidenti i klubit turk. Hysejin Juçel. Ai fillimisht ka saktësuar se nuk ka asnjë negociatë zyrtare për Muçin për momentin. “Nuk ka asnjë ofertë për Muçin, por ka klube të interesuara”, theksoi ai, por duke shtruar më pas se klubi është i përgatitur për largimin e lojtarit pasi ka identifikuar që tani zëvendësuesin e shqiptarit.
“Nëse Muçi largohet, atëherë mund të fokusohemi te Anderson Taliska”, thekoi ai në një intervistë, duke bërë të qartë se ka që tani një plan për lamtumirën mëse të mundshme të futbollistit shqiptar.
Anderson Taliska ka qenë pjesë e Al Nasr në vitet e fundit, teksa ka luajtur edhe më parë me fanellën e Beshiktashit duke u kthyer në një idhull të tifozerisë. Mediat turke bëjnë të ditur se shitja e Muçit është “detyrim” nëse synohet afrimi i sulmuesit brazilian, pasi rroga e tij te Al Nasr është shumë e lartë, 12 milionë euro dhe duhen shifra të rëndësishme për ta përballuar atë.