Edhe Ibrahimoviç e përsëriti jo më larg se 24 orë më parë: “Besojmë te Konseisao”. Për momentin është e pashmangshme, duke qenë se do të ishte mjaft e ndërlikuar t’i drejtoheshe trajnerit të tretë të sezonit pasi pas masakrës me portugezë.

Milani dhe ish-tekniku i Portos do të vazhdojnë deri në fund të sezonit e më pas do të bëhen bilance që dukshëm janë lehtësuar nga kontrata e nënshkruar më 30 dhjetor të kaluar. Skadon në vitin 2026, por me mundësi që njëra nga palët të shkëputet në fund të këtij kampionati edhe pa miratimin e tjetrës.

ECURIA – Eliminimi nga Champions ishte një goditje e rëndë, si nga ana teknike, ashtu edhe nga ajo ekonomike. Mbi të gjitha, mënyra se si ndodhi dhemb. Sigurisht, Teo Hernandez mori një pjesë të madhe të fajit.

Megjithatë, shumë nuk e pëlqyen mënyrën se si u trajtua emergjenca pas përjashtimit të francezit, mes zëvendësimeve dhe vendosjes së dhjetë të mbijetuarve në fushë. Pavarësisht një daljeje të parakohshme nga turneu më i madh në Europë, dhe ndaj një ekipi jo të jashtëzakonshëm, nëse vërtet duhet të vlerësojmë drejtimin e Konseisaos, i cili, ia vlen të kujtohet, nuk ka as dy muaj në detyrë, sigurisht që nuk mund të konsiderohet dështim.

Ai mori një Superkupë italiane disa orë pasi mbërriti, ka siguruar gjysmëfinalet e Kupës së Italisë dhe, në kampionat, ka grumbulluar 14 pikë, po aq sa Interi dhe Juve dhe vetëm një më pak se liderët e turneut, Napoli.

ALTERNATIVA – Kaq shumë fjalë të bukura që, megjithatë, nuk do të jenë të dobishme nëse objektivi i Champions nuk arrihet. Nuk është një arritje e lehtë kur mendon se Italia pothuajse me siguri do të ketë vetëm katër skuadra në kompeticionin më të rëndësishëm, dhe Milani aktualisht ka gjashtë para tyre (por me një ndeshje më pak).

Me një vend në Europë Konseisao do të nisë sezonin e ri, përndryshe do të ndodhë një tjetër revolucion teknik. Një revolucion që, sipas zërave të tregut, mbulon të gjithë harkun kushtetues të filozofive të futbollit: nga Ksavi te Alegri (të kundërtat), duke kaluar nga De Zerbi dhe Italiano si më të ngjashëm në mënyrat e tyre të punës.