Dita e djeshme ka qenë vendimtare për zgjedhjen e trajnerit të ri të Veleçikut. Në tavolinën e kryebashkiakut- presidenti Ramadan Likaj, kanë qenë dy kandidatura, ajo e Besnik Dulit dhe e Luan Shpuzës. Ky i fundit, kishte patur dy ditë më parë një takim me numrin 1 të këtij klubi duke i shprehur gatishmërinë e tij për marrjen e drejtimit të këtij ekipi dhe Likaj e ka dëgjuar me vëmendje por natyrisht duke patur si ide të parë atë të Besnik Dulit. Trajneri i njohur koplikas, njihet si personi që ka arritur sukseset më të mëdha në historinë e këtij klubi dhe përpos kësaj, njeh edhe më mirë ambjentin përreth skuadrës.

Pasi ka studiuar të dy kandidaturat, kryebashkiaku Likaj pasditen e djeshme ka dhënë verdiktin e tij. Atë që Besnik Duli do të jetë në krye të Veleçikut për pjesën e mbetur të sezonit. Me të marrë këtë konfirmim, trajneri në fjalë nuk ka hezituar për asnjë moment por në seancën e pasdites ka qenë para ekipit për të zhvilluar stërvitjen e parë me të. Koplikasit i kanë bërë një nisje të mirë kampionatit teksa kanë grumbulluar 9 pikë pas 4 ndeshjeve të para dhe janë ende në lojë me pretendimet e tyre. Trajneri i ri Duli në një prononcim të shkurtër, ka shpjeguar edhe arsye pse i tha menjëherë “po” ofertës së Veleçikut. “Pas largimit nga Ada, natyrisht që desha të pushoj pak por ofertës së drejtuesve të klubit koplikas për të marrë përsipër drejtimin e Veleçikut nuk mund t’i thoja “jo”. Kjo sepse është skuadra ime e zemrës dhe kam sakrifikuar shpeshherë për të. Mendoj se sivjet ka në përbërje një grup të mirë futbollistësh dhe me mbështetjen e kryetarit të Bashkisë, jam i bindur se kemi për të bërë gjëra të mira”- ka thënë Duli për gazetën. Interesant është fakti se përballja e parë e këtij trajneri do jetë ajo e së shtunës pikërisht ndaj Adës, skuadër të cilën e ka drejtuar deri të shtunën e kaluar. Aty ku do të ketë përballë në pankinë Kreshnik Krepin, ish- trajnerin e Veleçikut deri pak ditë më parë. Ndodhi vërtetë interesante por ky është realiteti.
Gjergj KOLA