Skuadra e Veleçikut pak ditë më parë ka siguruar ngjitjen në kategorinë e parë të futbollit shqiptar.
Në Koplik dhe gjithë Malësinë e Madhe ende po përjetohet kjo festë dhe kuptohet që është e ligjshme sepse është bërë realitet arritja e një objektivi.
Por ndërkohë të gjithë pyesin se çfarë do të ndodhë me këtë skuadër në sezonin e ri?
Arsyeja është se në kushtet aktuale, Veleçiku nuk do të mund t’i luajë ndeshjet e tij sërish në Koplik edhe në shtator.
Arsyeja është se fusha aktuale nuk i plotëson kushtet dhe prandaj nuk do të liçensohet.
Megjithatë trajneri Besnik Duli ka dhënë një lajm të mirë për gjithë tifozët e kësaj skuadre.
Duke folur për “Shkodra Sport”, ai është shprehur: “Kryebashkiaku Marinaj ka një ide që të ndërtojë një stadium të ri.
Unë kam biseduar me të menjëherë pas ndeshjes me Shkumbinin dhe ai më ka konfirmuar një ide të tillë.
Kjo do të ishte shumë pozitive por ia bëra të ditur se duhet nxituar se nëse puna nuk nis menjëherë, atëherë skuadra do ta vuajë këtë gjë.
Nëse nuk i luajmë ndeshjet në Koplik, atëherë nuk përjashtohet mundësia që të kthehemi shpejt andej nga erdhëm.
Por shpresoj të mos ndodh kështu dhe premtimi për ndërtimin e stadiumit të ri të mbahet sepse do të ishte në të mirën e futbollit të gjithë kësaj zone”.
www.shkodrasport.com