Boksi shkodran ka nxjerrë shumë kampionë në këto vite. Një prej tyre që në fakt nuk ka shumë tituj (për shkak të emigrimit), në fakt është dalluar për klasin e lartë të treguar në ring dhe ka lënë shenjë në të gjithë ndeshjet e tij për mënyrën e veçantë të boksimit. Ai është Besnik Gjetaj, “boksieri i shekullit”.

Ka lindur më 10 maj të vitit 1973 dhe në rininë e tij merret me mundje ndërkohë që me rihapjen e boksit, nis të merret me këtë sport burrëror. Trajnerët e tij të parë janë Kujtim Demi e Viktor Martini dhe më vonë Ramiz Halili e Zef Gjoni. Ai është shpallur kampion me të rinjtë dhe më pas kalon me të rriturit me të cilët shpallet 4 herë rresht kampion në vitet 1992, 1993, 1994 dhe 1995 duke përfaqësuar klubin sportiv Vllaznia.

Gjithashtu është fitues i tre Kupave të Shqipërisë në vitet 1993, 1994 dhe 1995.Nga trajnerët dhe specialistët gjithnjë vlerësohej me nota të larta. Ai dallohej për mënyrën e boksimit në ring, si një mëngjerash me potencë të madhe të grushtit të majtë. Ai dallohej për qetësinë e rrallë aq të nevojshme për një boksier.

Për një periudhë 4 vjeçare bëri një figurë shumë të mirë në ringun shqiptar. U dallua për boksimin e tij të fuqishëm ku më së shumti, ndeshjet i mbyllte para kohe në favorin e tij dhe për këtë u konsiderua si “tmerri” i boksit shqiptar, duke u krahasuar me mjeshtrin Teodor Janku.

Për këto suksese, u pat zgjedhur edhe në “10 sportistët më të mirë të vitit 2004” nga gazeta “Sporti Shqiptar”. Mbahet mend edhe për nokautin që i shkaktoi një kundërshtari të tij në “Gongun e Artë” në Maqedoni kur e hodhi në tapet për 20 sekonda.

Në vitin 1996 më pas shkoi në Itali ku filloi të merret me boks profesionist duke zhvilluar të parën ndeshje profesionistësh për shqiptarët kundër nigerianit Akan Daniel dhe që fitohet nga Gjetaj. Rikthehet në Shqipëri dhe në vitin 2002 organizon të parën ndeshje profesionistësh. Përballë tij ishte malazezi Gjuriçkoviç.

Gjyqtar ringu ishte malazezi Aleksiç Aleksiç, 40 vjeç, anëtar i komitetit ekzekutiv të Konfederatës ndërkombëtare të boksit dhe president i kolegjiumit të gjyqtarëve të Europës Juglindore. Një luftë e fortë në ring mes të dyve por në fund ka fituar shkodrani Gjetaj me rezultatin 176-167 dhe kjo ishte fitorja e tretë për të ndërkohë që malazezi pas shtatë fitoresh, pëson humbjen e parë.

Kjo ka qenë ndeshja e fundit e Besnik Gjetajt në ring ndërkohë që më pas nis punë si trajner pranë ekipit të Vllaznisë. Kohët e fundit ndërkohë është bërë arbitër i boksit, sport prej të cilit duket se nuk mund të shkëputet kollaj. Me rastin e 100 vjetorit të SK Vllaznia u vlerësua si “boksier i shekullit”, vlerësim ky që padyshim nxjerr në pah vlerat e këtij sportisti elitar.
Gjergj KOLA