Boksi shqiptar ka dy histori të tij, atë të krijimit të tij dhe deri në vitin 1963 kur u mbyll dhe më pas, nga viti 1991 dhe deri më sot. Tek kjo e dyta kemi patur mundësinë të shohim në ring shumë sportistë të talentuar. Shumica e tyre kanë dalë nga Shkodra, sepse Vllaznia i ka dhënë tonin këtij sporti me titujt e shumtë që ka fituar.

Një ndër më të suksesshmit në historinë e boksit shqiptar padyshim që është Besnik Limani, 12 herë kampion i vendit. Një histori e tërë e shkruar prej tij në ring dhe që vazhdon edhe sot në rolin e trajnerit. Ai ka lindur në Shkodër në vitin 1970. Me boksin është marrë që në fillimet e tij, në vitin 1991.

Ai është shpallur 12 herë kampion i vendit, pikërisht në vitet 1992, 1993, 1995, 1996, 1997, 1998, 1999, 2000, 2001, 2002, 2004, 2007. Pesha e tij e preferuar ka qenë ajo 60 kg por në dy kampionate është shpallur kampion edhe në peshat 63 dhe 69 kg.

Gjatë karrierës së tij sportive është shquar për një përgatitje të lartë fizike e teknike. Madje është shquar për shumë fitore edhe me nokaut. Ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare për vite me rradhë. Në vitin 1993 ka marrë pjesë në takimin miqësor me boksierët kosovarë në Durrës.

Vazhdon të marrë pjesë në turneun e zhvilluar në Turqi në datat 8-12 shtator 1993, në “Gongun e Artë” të atij viti në Shkup të Maqedonisë, për të vazhduar me turneun “Venecia” në Itali gjatë vitit 1994 e kështu me rradhë në shumë aktivitete të tjera ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, ku ka arritur shumë fitore të rëndësishme.

Fakti që është shpallur kampion për herë të fundit në moshën 37 vjeçare, tregon më së miri se për pasionin me të cilin ai stërvitej dhe mënyrën si e dashuronte këtë sport.

Pas lënies së sportit, ka nisur karrierën si trajner teksa punon me ekipin e të rinjve të Vllaznisë ku nuk kanë munguar edhe shumë suksese jo vetëm si ekip por edhe ka nxjerrë nga duart e tij shumë sportistë të talentuar. Nga Federata Shqiptare e boksit është nderuar me “Medaljen e Artë”. Besnik Limani është krenaria e këtij sporti, krenaria e klubit Vllaznia dhe e Shkodrës.
Gjergj KOLA