Në rradhën e volejbollistëve të vlerësuar si më të mirët e historisë së Vllaznië dhe që u vlerësuan së fundmi nga Bashkia Shkodër dhe Sk Vllaznia, ka qenë edhe Besnik Lisha.

Ai është ndjerë vërtetë i lumtur për këtë vlerësim dhe këtë e ka shprehur edhe në prononcimin e dhënë për mediat kur është shprehur: “Ishte një kënaqësi dhe një krenari që jam pjesë e këtij klubi,e këtij qyteti,i falenderoj gjithë shoqërinë time. Kam qenë me fat atëherë dhe jam me fat edhe tashmë.

Është e vërtetë që akoma i kam shokë ata. Dua të përmend disa trajnera, dua të përmend Petrit Juknin, Mehdi Temalin , Mark Grimcin, Viktor Jubanin dhe Flamur Agollin. Këta trajnera kanë bërë një rol shumë të rëndësishëm në jetën time, ky që jam sot për arsye të tyre.

Tanimë jam vetë trajner dhe dua të përmend një shprehje të profesor Mark Grimcit, që kur bëja ndonjë gjë gabim, më thoshte: “Çfarë bën ore shqiptar, shqiptar i egër”!. Këta njerëz na kanë latuar dhe na kanë bërë që të jemi këta njerëz që jemi sot.

Të njëjtën gjë mundohemi ta bëjmë ne sot me të rinjtë që me mund me dhanë një shembull pozitiv, përveç asaj që marrin nga familja, të kenë edhe një opinion të dytë se kështu na ka vlejtur edhe ne. Unë dua ta mbyll me një shprehje të vetme: Vllaznia dhe Vllazni përgjithmonë”.
© shkodrasport.com