Alen Sherri po jeton momentin më të mirë në karrierën e tij futbollistike.Gardiani i Portës nga Egnatia u transferua te Cagliari në Serie A. Ditën e djeshme shqiptari ishte pjesë e një aktiviteti në Cagliari që i kushtohej turneve të futsallës për vajza dhe djem. Shkodrani ka folur para të pranishmëve, ku ka motivuar të gjithë të rinjtë që të ndjekin ëndrrën e tyre.
“Jam i lumtur që i sjell një mesazh të gjithë të rinjve që kanë një ëndërr. Kam lindur në Shqipëri dhe që i vogël kisha dëshirën të luaja në Serinë A, arrita ta realizoja. Çdo djali dhe vajze u them që të besojnë në ëndrrat e tyre, çfarëdo që të jenë dhe të përpiqen ditë pas dite për ta realizuar duke mos u dorëzuar kur shfaqen vështirësi.
Në qytetin tim është krijuar skuadra e parë e futbollit të femrave në Shqipëri, më ka ndodhur të luaj me vajza dhe jam argëtuar pa pasur asnjë lloj paragjykimi. Pak nga pak, futbolli i femrave u rrit.
Grumbullimi më Shqipërinë? Të vesh atë fanellë është një kënaqësi jashtëzakonisht e madhe për mua, më bën krenar.
Si ndjehem te Cagliari? Qyteti është i shkëlqyer, i ngjan atij ku jam rritur në vendin tim. Po marr shumë ngrohtësi nga tifozët, nuk mund të kërkoj më shumë”, ka theksuar 27-vjeçari.