Bekim Balaj u tërhoq zyrtarisht nga Kombëtarja shqiptare këtë muaj. Sulmuesit të Vllaznisë iu organizua një ceremoni lamtumire para sfidës me Çekinë, ndërsa zbriti në fushë me Roshin, Lenjanin dhe Gjasulën.
Në dy sezonet e fundit, Balaj po spikat te Vllaznia. Te i kaluari ishte kryegolashënuesi i kampionatit, ndërsa te ky aktual kryeson po ashtu listën. Kështu 33-vjeçari nuk po pyet për moshën, ndërsa është Ditmar Bicaj që ka projektuar të ardhmen e tij. Trajneri aktual i Burrelit e sheh si drejtor të Vllaznisë në të ardhmen. Bicaj përdor fjalët më të mira për Balajn, ndërsa thotë:
“E kam pas Bekim Balajn në dhomë te ekipi Kombëtar dhe Shpresat, dhe Roshin. Janë dy shokë, dy djem të mrekullueshëm dhe kampionë. Për Gjasulën dhe Lenjanin nuk kam njohje personalisht, por po flas për këto të dy që i kam pasur shokë ekipi. I uroj më të mirën, janë djem që i kanë dhënë shumë Kombëtares, kanë sakrifikuar, na kanë dhuruar Euro 2016, kështu që i uroj shumë suksese, dhe pse jo t’i shohim në poste të ardhshme, ndoshta në klub të mirë ose federatë.
Roshin nuk e shoh si trajner se është shumë i qeshur, nuk i shkon serioziteti. Bekimin e shoh ndoshta në të ardhmen si drejtor të Vllaznisë, i shkon dhe e shoh. Bekimi ka një lidhje shpirtërore shumë të fortë me Vllazninë dhe me Shkodrën, kështu e ardhmja këtu do të jetë. Ai mund të luajë dhe dy sezone të tjera, drejtorin Osmani e përshëndesim”, u shpreh Bicaj në RTSH.