Enea Bitri ka shënuar sot golin e tij të parë në kampionatin çek të futbollit, ku u transferua në janar për t’iu bashkuar skuadrës së Banik Ostravës. Mbrojtësi shqiptar, ka gjetur rrugën e rrjetës në një duel shumë delikat për ekipin e tij, i cili aktualisht gjendet në zonën e ftohtë të klasifikimit dhe rrezikon rënien.
Për shkak të dëmtimeve që ka pësuar në këto javë, kjo e sotmja ndaj Slovaçko ishte vetëm ndeshja e pestë që ka luajtur Bitri me Ostravën në kampionat që kur u transferua nga Partizani.
Në minutën e 30 të ndeshjes ai la shenjën e tij, pasi shënoi pas zhvillimit të një goditje këndi golin e avantazhit të përkohshëm 1-0 për skuadrën e tij.
Goli i Bitrit rezultoi vendimtar për fatin e ndeshjes, pasi Ostrava fitoi me shifrat 1-0 dhe bëri një hap të rëndësishëm për të luftuar për mbijetesën.