Eneo Bitri pas vetëm shtatë muajsh te Banik Ostrava në Çeki, ka arritur të sigurojë një tjetër transferim cilësor dhe të bëjë një hap më të madh në karrierë. Pasi u transferua në janar në klubin çek, Bitri gradualisht u rrit në lojën e tij dhe u bë titullar në Kroaci, duke fituar vëmendjen e Valerengës, që pas disa tratativash ka arritur të bindë çekët dhe të sigurojë shërbimet e beratasit.
Bitri ka firmosur kontratë për tri vite me norvegjezët, që, sipas mediave skandinave, ka paguar plot 500 mijë euro për shërbimet e ishkapitenit të Partizanit. Në lidhje me këtë transferim ka folur drejtori sportiv i Banik Ostravës, që tregon edhe disa prapaskena. Bitri kishte edhe një vit kontratë me Banikun dhe pavarësisht kësaj, drejtori shprehet se klubi nuk donte të dilte kundër dëshirës së lojtarit për t’u larguar drejt një aventure më prestigjioze dhe fitimprurëse. Beratasi refuzoi kërkesën e Banikut për të rinovuar me një pagë më të lartë.
“Nuk mund të themi se nuk na vjen keq. Eneo u ngrit shumë këtu dhe fitoi vendin e tij në formacionin e parë, por ai mori një ofertë vërtet fitimprurëse nga Norvegjia dhe megjithëse i bëmë edhe një propozim për një kontratë të re me kushte të reja, ai shprehu dëshirën e tij për t’u larguar.
Sigurisht, ai kishte edhe një vit të mbetur në kontratën e tij me një opsion, kështu që ne mund t’i kishim bërë presion për ta mbajtur atë, por duke mbajtur me çdo kusht një lojtar që dëshiron të largohet, nuk do të ishte aspak produktive. Përveç kësaj, oferta financiare për Banikun ishte interesante”, tha Ludek Mikloshko.
Pas prezantimit te Valerenga, Eneo ka thënë edhe fjalët e para. “Përshtypja ime e parë për klubin dhe njerëzit këtu është tepër e mirë dhe mezi pres të zbres në fushë dhe të luftoj”, tha Bitri ndër të tjera. Duhet thënë se 26-vjeçari në këtë verë ishte pranë rikthimit te Partizani, por ishte Baniku, që bllokoi këtë lëvizje. Më pas Partizani firmosi me Koçijan.