Partizani ka mbyllur vitin kalendarik me fitoren 1-0 në derbi ndaj Tiranës. Të kuqtë kryesojnë në tabelën e renditjes me një shkëputje për 4 pikësh.

Eneo Bitri ka folur në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin sportiv “Ora Sport”. Kapiteni i të kuqve ka folur mbi ecurinë e ekipit dhe merkaton. Bitri nuk ka nguruar dhe të tregojë vlerësimin e madh mbi trajnerin Colella.

“Mendoj që përgjegjshmëria në fushë ka ndryshuar për shkak të shiritit. Jam një lojtar i vjetër i Partizanit, sepse jemi pak që kemi mbetur aty. Duhet ta bëj detyrën më së miri. Duhet të jem shembull, si në fushë, edhe në stërvitje.

Duhet të jem shembull unë, që të tjerët të më ndjekin nga pas. Gjatë gjithë javës nuk kemi folur fare për derbin. Ka qenë një javë shumë e qetë. Në dhomat e zhveshjes e kemi marrë me shumë qetësi, por në fushën e lojës ka qenë një zjarr i vërtetë.

4 pikë larg nga Tirana? Nuk janë shumë, janë fare pak. Është edhe gjysma e kampionatit. Ka shumë pikë në lojë. Jemi një nga ekipet e vetme në Shqipëri që me statistika jemi gjithmonë në zonën e kundërshtarit. Kemi pësuar 16 gola.

Po të shikoni lojën e Partizanit, jemi ekip që luajmë në gjysmëfushën e kundërshtarit. Rrallë herë zbresim poshtë. Kur të pësojmë gol, do e pësojmë të 11. Duhet ta pranojmë këtë fakt. Nëse i keni parë golat e pësuar nga Partizani, të gjithë janë gola aksidentalë.

Dikush më shumë, dikush më pak, duke filluar nga unë i pari. Më shumë i kemi dhuruar golat, se sa i kemi pësuar me aksion.

Lufta në ajër është një dhunti që ma ka dhuruar zoti dhe këtë e shfrytëzoj. Është e vërtetë që Telushi ka qenë një shtysë për mua, dhe edi që është shprehur për mua që do të më shikoni shpejt në Kombëtare.

Të rinjtë? Meritë e klubit dhe trajnerit që jep mundësi të rinjve dhe kur është në vështirësi ekipi. Trajneri Colella është një nga të huajt më të sukseshëm që ka qenë në Shqipëri, gjithmonë për mendimin tim.

Merkato? Do të ketë përforcime, por kjo është punë e klubit, i takon atyre kjo gjë. Unë nuk di të tregoj emra se nuk jam në dijeni. Me Çinarin kam folur dhe shpresoj të jetë me ne.”/newsport/