Mesditën e sotme është luajtur ndeshja e javës së 15-të të kampionatit kombëtar për moshat U17 në mes Vllaznisë dhe Partizanit. Në përballjen e luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi”, kuqeblutë kanë arritur të triumfojnë me rezultatin e ngushtë 1-0.
Interesant është fakti se trajnerin Brikeno Bizi “e ka nderuar” në këtë takim një tjetër “Biz”- Arjeti, ai që ka shënuar golin e vetëm duke i dhënë fitoren Vllaznisë. Mesfushori- sulmues ka shënuar që në minutën e 16-të dhe ndonëse më pas ka patur shumë përpjekje, nuk ka patur gol tjetër.
Duhet thënë se takimi ka patur rivalitet deri në fund, shoqëruar edhe me luftë të fortë sportive, e po ashtu edhe me shumë kartona por në fund kanë buzëqeshur shkodranët.
Me këtë fitore Vllaznia U17 është ngjitur në kuotën e 24 pikëve duke e lënë tashmë prapa në renditje Partizanin. Ekipi shkodran ndodhet në vendin e tretë, por objektivi padyshim që është ngjitja në dy vendet e para, të cilat të çojnë në play-off.
Skuadra me ndryshimet e bëra sëfundmi, është më solide dhe këtë e tregoi edhe në kupë e po ashtu po e tregon edhe në kampionat e kjo u pa edhe në takimin e sotëm ndaj të kuqve.
© shkodrasport.com