Qëndrimi në Superligë nuk kishte si të mos festohej mbrëmjen e së shtunës në Shkodër. Tifozët në mënyrën e tyre por edhe futbollistët I janë gëzuar jo pak suksesit në këtë ndeshje shumë delikate. Ato janë mbledhur menjëherë pas ndeshjes në një nga lokalet pranë stadiumit për të kaluar disa orë sëbashku dhe për të shijuar mbylljen e duhur që I bënë këtij sezoni. Por në këtë darkë festive nuk mund të mungonin as suprizat. Biznesmeni I njohur shkodran Ardit Kraja kishte ardhur enkas nga Tirana për të marrë pjesë në këtë festë të Vllaznisë dhe ashtu siç ka bërë edhe herë të tjerë, edhe këtë rradhë është treguar dorëlëshuar duke akorduar një shpërblim prej 15 milionë lekësh për ekipin e Vllaznisë.

Një gjest për t’u vlerësuar I këtij biznesmeni që në dy-tre vitet e fundit I është gjendur gjithnjë pranë ekipit me mbështetjen dhe shpërblimet e dhëna. Në këtë festë të mbrëmshme kanë qenë të pranishëm edhe mbrojtësit Bicaj e Vrapi të cilët nuk kanë qenë prezent në ndeshje megjithatë kanë qenë pranë ekipit për t’i dhënë mbështetje shokëve të tyre por ndoshta edhe për t’i dhënë lamtumirën kësaj skuadre sepse me shumë të ngjarë nuk do jenë më pjesë e saj në sezonin e ri.

© shkodrasport.com