Bledar Devolli rikthehet tek Drenica. Trajneri 45-vjeçar do të marrë për herë të dytë drejtimin e skuadrës kosovare pasi klubi nga Skënderaj shkarkoi Bekim Shotanin.
Fatale për 48-vjeçarin ka rezultuar humbja ndaj Gjilanit, pas së cilës nuk kishte më kthim mbrapa dhe drejtuesit menduan që një ndryshim në pankinë është zgjidhja më e mirë për secilën palë.
Drenica nuk ka përjetuar një formë aspak të mirë këtë sezon, teksa renditet në vendin e fundit pas 22 javësh të luajtura me vetëm 20 pikë.
Në këtë hark ndeshjesh, Drenica ka regjistruar vetëm pesë fitore dhe nën drejtimin e një fytyrë e njohur do të shpresojnë të shmangin rënien.
Devolli ishte në krye të skuadrës kosovare nga tetori i 2020 deri në mars të 2021, ku e udhëhoqi ekipin për vetëm 11 ndeshje.
Eksperienca e fundit menaxheriale për 45-vjeçarin ishte me Turbinën në Kategorinë e Parë, por aventura e tij me klubin cërrikas u ndërpre në Janarin e këtij viti.
Ndërsa për shtatë ndeshje në edicionin e kaluar, Devolli mbajti dhe stolin e Dinamos në Abissnet Superiore ndërsa u zëvëndësua më pas nga Roberto Vanoli.
Pauza e Devollit larg futbollit nuk është e gjatë dhe tashmë në krye të Drenicës do të tentojë të bëjë një mrekulli dhe të arrijë qëllimin për t’i mbajtur në elitën e futbollit kosovar.45-vjeçari pritet të prezantohet ditën e sotme në orën 11:00.