Për vite me rradhë drejtoi ekipin e meshkujve të Vllaznisë duke patur me të jo pak suksese. Gjithmonë kokëulur e punëtor, ka duruar edhe ndonjë padrejtësi që mund t’i jetë bërë kur drejtuesit i sollën trajnerë të huaj në pankinë, megjithatë Bledar Gjeçaj nuk kundërshtoi.
Pranoi të bëjë edhe zëvendëstrajnerin, ndonjëherë edhe përkthyesin, por vlerat e tij padyshim që askush nuk mund t’i zbehte. Në verën e këtij viti, thuhet se “iu bë një puç”.
Disa prej titullarëve të ekipit, ishin “mërzitur” me të dhe kërkuan zgjedhje tjetër për pankinën. Preteksti ishte se Gjeçaj “ishte i butë”.
Një zgjedhje që nuk rezultoi ajo e duhura sepse ekipi i basketbollit të meshkujve të Vllaznisë thuajse tashmë është shkatërruar. Atë askush nuk mund ta bënte më mirë sesa ai.
Por profesor Bledari nuk u mërzit. Pranoi edhe një vendim të klubit për të drejtuar ekipin e femrave të Vllaznisë, një ekip i cili edhe ai nuk garantonte shumë sepse kishte shumë probleme brenda tij.
Gjeçaj gjithsesi po i tregon vlerat e tij si trajner edhe në krye të këtij ekipi. E ka transformuar tërësisht atë. Nga një ekip që pretendonte për të qëndruar në kategori, tashmë duket në rrugë të sigurtë për të qenë mes më të mirëve të kampionatit.
Ka fituar dje edhe ndaj Flamurtarit kampion në fuqi, ka rivalizuar denjësisht me një tjetër ekip pretendent si Tirana dhe ky është sukses. Po cili është kyçi i suksesit i këtij trajneri?
Puna e madhe në stërvitje, përkushtimi dhe pasioni me të cilin ai mundohet t’ua injektojë dëshirën për këtë sport edhe tek vajzat pjestare të ekipit. Bledar Gjeçaj është e sigurtë se është një vlerë e basketbollit shkodran dhe atij shqiptar.
www.shkodrasport.com