Vendi i tretë në të cilin ndodhet për momentin kjo skuadër, duket provizor për të. Vllaznia ka zhvilluar disa ndeshje miqësore me ekipe të Kosovës për të testuar veten dhe pikërisht nga këto testime trajneri Gjeçaj është i kënaqur dhe për këtë ai thotë: “Jemi në vend të tretë, por unë nga natyra jam optimist dhe shoh përpara. Mua më intereson mënyra e të luajturit. Zhvilluam miqësoren me ekipin e Trepçes javën e kaluar dhe jam mjaft i kënaqur me paraqitjen e ekipit tim. Ka disa gjëra që duhen rregulluar në mbrojtje, por këto të riparueshme. Ndeshjet me ekipet kosovare na kanë shërbyer shumë, sepse ato janë një hap para ndeshjes dhe mund të shohim veten se ku jemi”.
Kampionati gradualisht po futet në rrugën e duhur, atë të fazës që do nxjerrë në krye 4 ekipet më të mira. Shumë shpejt nisin ballafaqimet direkte dhe, për këtë arsye, Vllaznia duket se do ta shfrytëzojë ndeshjen e radhës me Partizanin për të parë nivelin e të gjithë sportistëve. “Këtë javë fillojnë ndeshjet e vështira për sa i takon renditjes, sepse luan Klubi Tirana me Apoloninë, pastaj javën tjetër Klubi Tirana me Kamza Basket dhe pas dy javësh klubi Tirana vjen në Shkodër. Janë takime që do përcaktojnë shumë gjëra për renditjen, ndaj duhet të përgatitemi për t’i kaluar me sukses këto sfida me rivalët direkt. Besoj se ndaj Partizanit, këtë fundjavë, fitorja nuk duhet të vihet në diskutim pavarësisht se në sport asnjëherë nuk duhen nënvlerësuar gjërat. Për mua më shumë do të ketë rëndësi mënyra se si luajmë dhe kam në plan të aktivizoj të gjithë lojtarët”, – thotë Gjeçaj.
Por deri te ndeshja me ekipin e Klubit Tirana, rivali për t’u mundur për vendin e dytë, Vllaznia mund të zhvillojë edhe një ndeshje tjetër miqësore. Këtë e ka bërë të ditur për gazetën vetë trajneri i saj, që në fund të prononcimit të tij tha: “Në prag të ndeshjeve të forta, kam dëshirë të organizoj edhe një tjetër ndeshje miqësore, ndoshta me ekipet e Malit të Zi ose edhe të Kosovës për të ruajtur formën, por edhe për të parë gjendjen reale se ku jemi në prag të sfidave me rivalët direkt në kampionat”.
Gjergj KOLA