Pas ndeshjes mes Lirisë dhe Ferronikelit, e fituar nga vendësit 1-0, trajneri Bledi Shkëmbi u shpreh se ka pasur shumë pakënaqësi me drejtuesit, ndërkohë që ka paraqitur dorëheqjen, por po qëndron vetëm prej futbollistëve.
Në një intervistë për “Supersport”, Shkëmbi ka sqaruar edhe njëherë gjithë këtë histori.
Mund të duket e pabesueshme, por te Liria e Prizrenit Shkëmbi po përballet me racizëm.
Pak ditë më parë, një trajner kosovar tha se trajnerët e ardhur nga Shqipëria do të largohen andej nga kanë ardhur, madje Shkëmbi u shpreh se edhe drejtuesit e Lirisë nuk i kanë qejf shqiptarët.
“Nuk duhet t’i japim rëndësi asaj deklarate, pasi në Kosovë janë 12 skuadra në Superligë dhe 9 janë trajnerë kosovarë e 3 shqiptarë.
Nga ata 9, vetëm njëri ka shprehur këto kundërshti, ndaj nuk ia vlen t’i japim rëndësi.
Me kryesinë e re kam dëgjuar shumë fjalë të tipit ‘trajneri ka sjellë shqiptarët e tij’.
A thua se ata po marrin miliona euro te Liria. Emrat e futbollistëve shqiptarë janë një luks për atë kampionat, pasi kanë shumë eksperiencë dhe nivel për të përfaqësuar skuadrën.
Dua t’i falënderoj që erdhën të më ndihmonin në këtë eksperiencë,”- u shpreh trajneri Shkëmbi.
Ai përmendi edhe raste, kur drejtuesit e Lirisë kanë paguar vetëm një pjesë të futbollistëve.
Sipas Shkëmbit, arsyeja që po e mban ende në krye të ekipit nga Prizreni, ka të bëjë vetëm me futbollistët, të cilët i dinë problemet e klubit dhe po qëndrojnë më të bashkuar se kurrë, madje ata kanë denoncuar edhe rastet, kur kanë pasur oferta për marrëveshje jo të hijshme.
“Kohët e fundit pati edhe situata të rëndomta, pasi paguheshin vetëm një pjesë e lojtarëve dhe porositeshin të mos tregonin, se ndoshta jo të gjithë do të paguheshin.
‘Merri ti lekët, por mos u ndje, sepse të tjerëve nuk ua japim’, ishte kërkesa e tyre ndaj futbollistëve që kanë paguar.
Futbollistët e dinë si është situata dhe janë të gjithë të bashkuar. Madje, mund t’ju them se kanë qenë vetë ata që e kanë denoncuar këtë sjellje të turpshme të drejtuesve të klubit.
Kjo situatë nuk mund të tolerohet, aq më tepër në skuadrën, ku unë jam trajner, apo ku do të jem në të ardhmen”- tha mes të tjerash ish-kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi. /Vipsport/