Dinamo u mund në finale nga skuadra e Egnatias, në një sfidë ku që nga portieri Bakaj e deri te lojtarët që luajtën si zëvendësues ishin duke bërë mirë, e madje blutë nëse nuk do të ishte portieri Hasanbelli i rrogozhinasve edhe mund të kishin shënuar…

Gjithsesi, ishte një finale prestigji, ndërsa Dinamo e realizoi objektivin sezonal, ndërsa për blutë me ardhjen e treshes Adrian Bardhi, Olger Prifti e Gurten Papuli si financues, duket se do të ketë ndryshim rrënjësor në kuptimin e ndërtimit të një klubi me pretendime dhe në perfeksion që nga skudra e parë, e deri tek fëmijët, në mënyrë që Dinamo e lavdishme të rikthehet në identitet.

Por, Olsi Uku, një trajner që ka punuar në familjen blu, e madje ka qenë edhe ndihmës i Nevil Dedes me kombëtaret e moshave apo edhe me Tiranën pak muaj më parë, drejtoi Dinamon duke e çuar deri në finale dhe fill pas ndeshjes me rrogozhinasit dje, ai dha dorëheqjen.

Por, në “Elbasan Arena” dje ka qenë kandidati më i mundshëm dhe ai që në kampin dinamovit e bëjnë fakt të kryer që do të ulet në stolin e bluve, Bledi Shkëmbi. “Vipsport” ka mundur që të sigurojë edhe një foto të trajnerit korçar që më parë ka drejtuar edhe skuadrën durrsake në elitë dhe Lirinë e Prizrenit si dhe pak javë më parë u largua nga stoli i Ballkan Suharekës.