Kombëtarja në 2 sfidat e këtij muaji ka zhgënjyer të gjithë. Barazimi me Çekinë dhe humbja me Ukrainën sollën edhe rënien e kuqezinjve në Ligën C.

Bledi Shkëmbi ka analizuar pikërisht këto 2 sfida në “Procesin Sportiv’’. Ish lojtari i Kombëtares dhe Skënderbeut ka theksuar se ekipi duhet të qëndrojë e “këmbë në tokë” pasi krijimi i pritshmërive të mëdha sjell zhgënjime. Madje sipas tij në disa ndeshje që kuqezinjtë kanë zhvilluar kanë patur në anën e tyre edhe fatin.

Ndër të tjera nënvizon se nuk e kemi luksin të lëmë në stol një lojtar si Bajrami, i cili organizon dhe ndihmon sulmin më shumë se kushdo tjetër.

“Çekia? Ndeshja me Çekinë ishte pozitive, pavarësisht momenteve dhe minutave të para që vuajtëm shumë. Më saktësisht në 20 minutat e para, pjesa tjetër për mua ishte OK. Ne i kemi pritshmëritë shumë të mëdha, por harrojmë se duhet të jemi me “këmbë në tokë” dhe sa mundemi të bëjmë. Sa i takon Çekisë e vuajtëm shumë anën fizike të tyre, luftën në ajër, ku në 30 minuta humbën çdo duel me ta. Ndonjëherë kundërshari të bën të dukesh i dobët dhe i vogël.

Ukraina? Me Ukrainën mendoj se bëmë pjesën e parë më të dobët ndonjëherë. Pësuam 2 gola në 2 raste dhe kjo na demoralizoi më pas. Kjo e bëri edhe të vështirë për të reaguar dhe për t’u kthyer në lojë. Pavarësisht se ne duam të luajmë të gjithë si Muçi apo mos të them ndonjë emër tjetër, por mendoj se mungesa e Bajramit nuk na ndihmon. Është një lojtar që qarkullon topin dhe ndihmon në fazën e sulmit, një punë që ai e bën shumë mirë, ndoshta më mirë se të gjithë të tjerët. Dhe pikërisht këtë gjë ne e vuajtëm sidomos në pjesën e parë. Në pjesën e dytë reaguam, bëmë një pjesë të mirë, por që nuk mjaftoi.

Ky është kapaciteti ynë apo ekipi ka rënie pas Euro 2024? Nuk mendoj se ka rënie loja e Kombëtares, por ky është kapaciteti ynë. Unë vazhdoj të them se në ndeshje të veçanta kemi patur shumë fat, madje duke shënuar edhe golat më të bukur. Këtë vit nuk kishim shumë fat. E them se kemi një skuadër të fortë dhe të mirë, por duhet të jemi me “këmbë në tokë” për pritshmëritë që kemi, pasi në fund zhgënjehemi’, ka përfunduar ish-timonieri i Tiranës.