Benzhamin Pavard pritet të jetë vetëm fillimi i një minirevolucioni që do të ndodhë në skuadrën e Niko Kovaçit prej sezonit të ardhshëm. Transferimi i mbrojtësit francez në Mynih ishte një domosdoshmëri, për shkak se këtë rol në skuadër e kryen prej kohësh mesfushori Joshua Kimish. Me ardhjen e 22-vjeçarit nga Shtutgarti, Kimish pritet të spostohet sërish në qendër të mesfushës përpara mbrojtjes.
Por, kjo nuk do të jetë e vetmja lëvizje e kampionëve në repart. Klubi po kërkon me ngulm të transferojë në Atletikon e Madridit edhe një tjetër kampion bote, Lukas Hernandez. Zherom Boateng pritej të largohej që verën e shkuar drejt PSG-së dhe transferimi i qendërmbrojtësit gjerman në fund të këtij sezoni është thuajse i sigurt. Partneri ideal i Humelsit, që as ai nuk e ka më të sigurt vendin e titullarit (Zyle po fiton gjithnjë e më shumë kredite), është projektuar francezi 22-vjeçar, i cili u tentua nga Bajerni që këtë muaj dhe në verë pritet të ketë një tjetër sulm.
Ndryshimet e tjera të sigurta në “Allianz Arena” janë ato të krahëve të mesfushës: prej sezonit të ardhshëm, Roben nuk do të jetë më në Mynih dhe të njëjtin fat pritet të ketë edhe veterani tjetër, Riberi. Për këtë të fundit, enigmat janë mbyllur. Bajerni ka transferuar Komanin prej vitesh dhe që prej këtij muaji Kovaç ka në dispozicion edhe kanadezin Alfonso Dejvis. Në krahun tjetër, përveç Serzh Gnabrisë, drejtuesit e Bajernit po punojnë intensivisht për të transferuar nga Çelsi, atë që shihet si pasardhësi natyral i holandezit, Kallëm Hadson-Odoi. 18-vjeçari është një hap larg transferimit në Mynih që këtë muaj. Nëse nuk do të ketë surpriza, sulmi do të vazhdojë të mbetet pronë e Levandovskit, por kjo nuk do të thotë se nuk po punohet për Timo Vernerin.