Mançester Junajtid po kërkon me ngulm në merkato që të përforcojë opsionet në vijën e sulmit, ku Rashford dhe Marsial nuk kanë një emër të tretë që t’i ndihmojë të ndajnë barrën e shënimit të golave. Një “asist” skuadrës angleze i ka ardhur në mënyrë indirekte nga Borusia Dortmund, e cila një ditë më parë i rrëmbeu një nga objektivat e merkatos, Erling Haland.
Pasi skuadra gjermane siguroi djaloshin e talentuar norvegjez, ajo duket gati që t’i bëjë një vend në rreshtim atij e si rrjedhojë, do t’i duhet që të largojë një nga sulmuesit aktualë. Emri më i mundshëm, sipas “The TImes” është ai i Xhadon Sanço. Futbollistit i përfundon kontrata pas dy vitesh dhe klubi e di që ai ka interes që të kthehet përsëri në Angli, ndaj do të përfitojë sa më shumë që të jetë e mundur nga shitja e tij
Ndaj për futbollistin e blerë vetëm 8 milionë paund në vitin 2017, Borusia Dortmund duket e gatshme që të dëgjojë skuadra të interesuara për ta blerë, për një çmim që fillon nga 100 milionë paund. Ky do të jetë një nga emrat më të lakuar në merkato në ditët e para të janarit, pasi mendohet se edhe Mançester Siti e Çelsi, skuadra që mund të përballojnë këtë shifër, janë të gatshme të rivalizojnë për firmën e tij. /vipsport/