Deputeti Fidel Ylli dhe presidenti i Ligës Profesioniste dolën së bashku nga takimi prej thuajse 90 minutash. Madje, pati edhe një “asist” nga Edvin Libohova për Fidel Yllin, që të ishte ky i fundit i pari në prezantimin fillestar para mediave.
PRAPASKENAT – Për këtë takim apo edhe për zgjidhjen e kësaj çështjeje është punuar, si të thuash, edhe pas kuintave. Gazeta ka mësuar se fillimisht në Ministrinë e Financave ka qenë edhe Avni Ponari, presidenti i Federatës së Basketbollit.
Gjatë takimit të djeshëm, gazeta ka mësuar se kërkesa e Ligës ka qenë që, më së paku, propozimi nga qeveria të jetë i zbatueshëm dhe i pranueshëm nga bizneset dhe klubet. Thënë ndryshe, gjasat janë që të mos ekzistojë fasha prej 100 milionë lekë fitimesh të deklaruara si kushtëzim për sponsorizimin.
DENAJ NË PARLAMENT – Teksa takimi u zhvillua me fillim nga ora 17:00, në ambientet e Ministrisë së Financave, sinjalet dhe shenjat e para u dhanë gjatë paradites kur në fjalën e saj, ministria Denaj përmendi vullnetin e qeverisë për të diskutuar edhe kur bëhet fjalë për diçka që, sipas saj, është e panevojshme të shtyhet më gjatë.
“Përjashtuam të ardhurat personale të sportistëve nga tatimi mbi të ardhurat për 2 vite. Sigurisht ne mund të diskutojmë nëse kjo është një kohë e mjaftueshme, por mendoj se është një kohë e cila e lejon këtë sektor të formalizohet dhe një zgjatje e këtij afati është e panevojshme. Rritëm nga 3% në 5% shumën e lejuar si shpenzim i zbritshëm për të gjitha sponsorizimet.
Njëkohësisht, njohim trefish të kësaj vlere si shpenzim të zbritshëm për çdo sponsorizim nga kompanitë me fitim mbi 100 milionë lekë.
Kemi ndërmarrë këto ndryshime, pasi janë ndryshime të cilat nxitin financimet nga vetë bizneset, të cilat kanë dëshirë të investojnë ose të financojnë më shumë sportin. Së fundmi, për të ardhur sot te ky propozim, i cili në thelb ka ndryshimin e ligjit të TVSH-së ku parashikohet që prej vitit 2021 të aplikohet një shkallë e reduktuar e TVSH-së prej 6% për shërbimet e punimeve për investimet shtetërore apo investimet e klubeve, federatave sportive, për infrastrukturën sportive”, deklaroi gjatë paradites ministrja Denaj.