Nga Maringlen ZHIVANI

Nga data 22-tetor deri më 3-nëntor, në Budva të Malit të Zi do të zhvillohet kampionati botëror i boksit për moshat U-18, aktivitet në të cilin merr pjesë edhe ekipi Kombëtar i Shqipërisë që drejtohet nga dy trajnerët shkodranë, Emiliano dhe Klaudio Çekini.

Kuqezinjtë do të përfaqësohen me tetë boksierë, ku njëri nga këta do të jetë pikërisht nënkampioni i botës dhe i Europës, Adam Maca.

Në një prononcim për “Shkodra Sport”, një nga trajnerët e Kombëtares së boksit U-18, Emiliano Çekini, thotë se përgatitjet me boksierin Adam Maca kanë qenë intensive gjatë kësaj periudhe, pasi atë e presin ndeshje të forta.

“Jemi përgatitur intensivisht për këtë kampionat. E kemi marrë më seriozisht se kurrë. Kemi një vit që bëjmë përgatitje intensive. Adam Maca po zhvillon seancat e fundit stërvitore dhe përgatitore. Sot kemi mbërritur në Budva. Në këtë peshë që konkurron Adam Maca, është edhe kampioni i sivjetshëm rus. Duelet do të jenë të forta. Përgatitjet e boksierit tonë Maca janë absolutisht për të mposhtur boksierin rus dhe të shpallet kampion.”

Çekini shprehet optimist për rezultat pozitiv, pasi pritshmëritë janë të larta për Adam Macën.

“Synimet tona janë të qarta. Momentalisht, Adam Maca është nën/kampion Bote dhe Europe me U-16. Sivjet, jemi me U-18 dhe synimet janë të qarta për titull kampion. Pritshmëritë dhe stërvitja intensive ne na bëjnë të shpresojmë shumë, pasi edhe vetë Adam Maca ka bërë stërvitje të jashtëzakonshme. Adam Maca është një boksier i nivelit të lartë. Ne kemi fatin që e kemi pjesë të Kombëtares së Shqipërisë. Faktikisht, ai stërvitet brenda dhe jashtë Shqipërisë, por ne kemi fatin që e kemi pjesë të Kombëtares së Shqipërisë, jo vetëm ne si ekip i Tërbuni boks dhe përfaqësohemi me të në Kombëtare, por edhe vetë Federata Shqiptare e Boksit. E them edhe njëherë tjetër, pritshmëritë tona janë të larta për Adam Macën.”

Duelet në Kampionatin Botëror për 18-vjeçarët pritet të jenë shumë të forta, por nisur nga forma e mirë që po kalon boksieri Adam Maca, objektivat janë madhore në këtë aktivitet që do të zhvillohet në Budva të Malit të Zi.