Katër boksierë të ekipit kombëtar shqiptar që nga dita e sotme janë grumbulluar në pikën turistike të Razmës në përgatitje për Kampionatin Europian që do të zhvillohet në datat 7-15 gusht në Sofje të Bullgarisë. Boksierët e grumbulluar janë Krenar Zeneli, Denis Nurja, Asmer Bilali dhe Kristian Demaj, ndërkohë që bashkë me ta do të jenë edhe trajnerët Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Ky grumbullim është bërë i mundur falë sponsorizimit të dy presidentëve të ekipit të Vllaznisë, Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi. Sipas trajnerit Gjoni, përgatitjet janë disi të vonuara megjithatë do të bëhet maksimumi për të bërë një paraqitje të mirë në këtë aktivitet të rëndësishëm. “Në fakt gjërat duhej të kishin qenë më ndryshe në prag të aktiviteteve të tilla ashtu siç veprojnë të gjithë ekipet kombëtare por tek ne gjërat nuk shkojnë ashtu si duhet. Edhe ky grumbullim në vend që të sponsorizohej nga Federata është bërë i mundur vetëm falë mbështetjes që na ka dhënë firma “Albtiefbau” që është sponsori i ekipit të Vllaznisë. Do të mundohemi që të bëjmë një paraqitje sa më të mirë me katër boksierët që do të marrim pjesë në Kampionatin Europian, në mënyrë që të sigurojmë kualifikimin për në Kampionatin Botëror sepse tashmë kanë ndryshuar rregullat e pjesmarrjes në të dhe vetëm nëse hyn në gjashtëshen e më të mirë në Europian, mund të sigurosh kualifikimin për në Botëror. Shqipëria ka treguar rritje në paraqitjet e saj në aktivitetet ndërkombëtare dhe të shpresojmë që kjo punë të vazhdojë sërish”- ka thënë ai. Pas kthimit nga pika turistike e Razmës në të cilën do shfrytëzohen temperaturat e ulëta për marrjen e ngarkesave fizike, katër boksierët e grumbulluar pritet të vazhdojnë stërvitjen në Shkodër deri në momentin e nisjes për në Bullgari.
Gjergj KOLA