Frika e krijuar dy ditë më parë për mosmarrjen pjesë të ekipit të të rriturve të Vllaznisë në boks, në kampionatin kombëtar të të rriturve që do të zhvillohet në Vlorë, është shuar ditën e djeshme. Kanë qenë dy dashamirësit e mëdhenj të këtij sporti dhe njëkohësisht edhe presidentët e këtij ekipi, biznesmenët Flamur Hoxha dhe Gjergj Livadhi që të shqetësuar për situatën e krijuar, kanë akorduar menjëherë fondin e duhur për ekipin për këtë pjesmarrje. Ka qenë trajneri Zef Gjoni ai që e ka bërë të ditur një lajm të tillë duke gjetur rastin të falenderojë edhe njëherë tjetër këta dy miq të këtij sporti për kontributin financiar të akorduar. Në fakt ka qenë diçka absurde mosmarrja pjesë në kampionat e këtij ekipi, 18 herë kampion i vendit. Bllokimi i fondeve të klubit shumësportësh Vllaznia, ka krijuar një situatë aspak të këndshme për të gjitha ekipet dhe veçanërisht për boksin që ditën e martë do të niset drejt Vlorës për të marrë pjesë në kampionatin kombëtar të të rritur. Sensibilizimi i bërë nga drejtuesit e këtij ekipi në media për këtë fakt, ka bërë që bisnemenët Hoxha e Livadhi të ndërhyjnë menjëherë duke iu gjendur pranë ekipit ashtu si dhe herët e tjera. Tashmë çdo gjë ka përfunduar dhe Vllaznia në fillim të javës së ardhshme do të niset drejt Vlorës me objektivin e qartë për të sjellë në Shkodër edhe titullin e 19-të kampion. Sportistët dhe trajnerët e këtij ekipi kanë kohë që përgatiten për këtë gjë dhe megjithë mungesën e boksierit Kristian Dema, pritet që ekipi të zërë përsëri vendin e parë në mes gjithë ekipeve të tjera pjesmarrëse dhe të shpallet kampion.
Gjergj KOLA