Për boksierët e Vllaznisë nuk ka pushim. Ata pasi kanë shijuar për pak ditë titullin kampion të Shqipërisë, kanë rifilluar me stërvitje intensive sërish. Arsyeja është se në ditët e para të shtatorit, ata do të marrin pjesë në një aktivitet shumë të rëndësishëm ndërkombëtar siç është “Gongu i Artë” që zhvillohet në Shkup të Maqedonisë. Ky është një turne që zhvillohet çdo vit dhe në të marrin pjesë boksierë nga shumë vende të botës, madje vitin e shkuar në të ishin pjesmarrës edhe boksierë nga Kuba! Pavarësisht kësaj, siç dihet, dy boksierët e Vllaznisë Asmer Bilali dhe Kristian Demaj zunë vendet e para në peshat e tyre duke merituar medaljet e arta. Pjesmarrja e sivjetme ndërkohë merret vesh se do jetë më e madhe. Sipas trajnerit të kombëtares shqiptare Zef Gjoni, pritet që drejt Shkupit të udhëtojnë 5 boksierë të Vllaznisë dhe 2 të Tiranës. Objektivat dihet që janë për të marrë sërish medalje të arta. Pas pjesmarrjes në “GOngun e Artë”, do jetë kupa “Adem Jashari” në Kosovë ndërsa në fund të nëntorit siç dihet, në Vlorë zhvillohet Kupa e Shqipërisë. Një periudhë e ngjeshur me aktivitete sportive kësisoj ndonëse po i afrohemi fundit të vitit.
www.shkodrasport.com