Pas një viti të gjatë e të lodhshëm, njëkohësisht edhe shumë të suksesshëm, boksierët e Vllaznisë po bëhen gati tashmë të festojnë festat e fundvitit. Çka do të thotë se edhe seancat stërvitore janë reduktuar disi në ditët e fundit dhe do ndodhë kështu deri pas Vitit të Ri. Atëherë kur do nisin sërish stërvitjet intensive për garat eliminatore të Olimpiadës së LOndrës dhe ku trajneri Zef Gjoni pretendon kapjen e një vendi nga boksierët tanë, çka do ishte edhe suksesi më i madh i këtij sporti në gjithë historinë e tij në Shqipëri.
Gjatë këtyre ditëve, sportistët e Vllaznisë në njëfarë mënyre kanë analizuar edhe ecurinë e tyre gjatë vitit që po lëmë pas. Ka qenë një vit mëse i mbarë, shoqëruar me titullin kampion për të 17-tën herë të Vllaznisë, shoqëruar me medaljet e arta të Asmer Bilalit dhe Kristian Demajt në “Gongun e Artë”, në kupën “Adem Jashari” e shumë aktivitete të tjera, për të mbërritur tek paraqitja shumë e mirë e Demajt në Kampionatin Botëror. Viti 2011 kësisoj është mbyllur në mënyrën më të mirë të mundshme për boksierët shkodranë që pretendojnë rezultate edhe më të mira në vitin e ardhshëm.
www.shkodrasport.com