Thuajse në të gjitha sportet zhvillohet Kampionati Ballkanik, por çuditërisht boksi nuk e ka patur një aktivitet të tillë në kalendarin e tij. Për këtë arsye, sivjet ai do të zhvillohet për herë të parë dhe padyshim që do të jetë një tjetër mundësi që boksierët më të mirë të këtij Rajoni të shprehin vlerat e tyre më të mira në ring.
Edicioni i parë i këtij Kampionati sivjet është caktuar të zhvillohet në Antalia të Turqisë. Njëkohësisht është caktuar edhe fundi i muajit tetor për nisjen e këtij aktiviteti dhe kombëtarja shqiptare ka nisur prej disa kohësh përgatitjet për pjesmarrjen në të. Boksierët kuqezinj do të nisen nga vendi ynë më 26 tetor dhe një ditë më pas do të jetë peshimi dhe kalendari i ndeshjeve.
Në krye të kombëtares sërish do të jetë shkodrani i mirënjohur Zef Gjoni ndërkohë që mësohet se Shqipëria do të përfaqësohet në këtë Kampionat Ballkanik me tre sportistë. Bëhet fjalë për dy sportistët e Vllaznisë Arjon Kajoshin dhe Krenar Zenelin dhe atë të Tiranës Alban Beqiri.
Forma e këtyre sportistëve duket e mirë dhe padyshim që të tre ato do të synojnë të jenë në zonën e medaljeve në peshat respektive ku do të marrin pjesë. Përveç këtyre boksierëve, edhe Elsidita Selaj është duke u bërë gati të përfaqësojë vendin tonë në Kampionatin Botëror që do të zhvillohet në Gjermani dhe sipas shortit të hedhur, në turin e parë do të ndeshet me një boksiere vendase.
Nënkampionia e Europës do të tentojë më të mirë edhe në këtë eveniment, paçka se do ta ketë të vështirë për të konkurruar me kundërshtare shumë të forta që marrin pjesë në këtë Botëror.
www.shkodrasport.com