www.shkodrasport.com
Boksierët shkodranë përgatitje për Memorialin “Shkodra 2012”
Boksierët e ekipit të Vllaznisë kanë nisur përgatitjet për një aktivitet shumë të rëndësishëm që do zhvillohet në fillim të muajit maj në Shkodër. Bëhet fjalë për turneun ndërkombëtar të përvitshëm që zhvillohet në nderim të disa prej figurave të shquara të boksit shkodran ndër vite që nuk jetojnë më. “Memoriali Shkodra 2012” është një veprimtari që është e futur në kalendarin vjetor të Federatës Europiane të boksit amator dhe si e tillë, sigurisht që ngjall kureshtjen e madhe të ekipeve të ndryshme të botës për të marrë pjesë. Për edicionin e sivjetëm janë caktuar edhe datat e zhvillimit të tij teksa boksierët pjesmarrës do mbërrijnë në Shkodër më datë 8 mars ndërsa aktiviteti zhvillohet për tre ditë me rradhë, në datat 9-11 mars. Ndonëse duket disi herët, puna përgatitore ka nisur. Grupi organizator i punës me në krye trajnerin Zef Gjoni, ka marrë deri tani dy kërkesa nga ekipe kom bëtare afrikane që duan të marrin pjesë në “Memorial Shkodra 2012”. Përveç tyre janë edhe ekipet e Ballkanit e shumë të tjera që duan të jenë prezent duke e çuar numrin e ekipeve pjesmarrëse në mbi dhjetë. Por ajo që duhet siguruar tashmë është mbështetja financiare. Vitin e kaluar, Bashkia Shkodër me anë të një fondi të posaçëm mbuloi një pjesë të mirë të shpenzimeve dhe pritet që këtë gjë ta bëjë edhe sivjet. KUptohet, ardhja në Shkodër e ekipeve kombëtare të boksit të mbi dhjetë shteteve është një plus i madh për këtë qytet prandaj dhe gjithësecili duhet të japë kontributin e tij në këtë drejtim për mbarëvajtjen e tij.