Politika po përzihet çdo ditë e më shumë tek sporti. Shembullim më I mirë është ajo çfarë po ndodh aktualisht tek Ada. Presidenti I këtij klubi Alfred Pjetri , në një intervistë për shkodrasport.com ditën e sotme ka thënë se kryetari I komunës Velipojë Pashko Ujka, I ka kërkuar shkrirjen e ekipit vetëm e vetëm ngaqë ai edhe disa pjestarë të tjerë të tij, kanë punuar kundër në fushatë elektorale.” Situata tek Ada nuk është aspak e mirë. Po kalojmë momente të vështira dhe e gjithë kjo ka ardhur pas problemeve që kemi patur me Komunën. Kryetari i saj ka ndalur financimet për ekipin ngaqë gjatë fushatës së kaluar elektorale ne kemi punuar kundër tij. Kuptohet që bindjet politike të gjithësecilit janë personale dhe nuk duhet ndikuar tek ekipi i futbollit por ky kryetar ka shkuar deri atje sa më ka thënë “për mua shkrije ekipin se nuk të ndihmoj nga ana financiare”- ka deklaruar presidenti Pjetri.Pavarësisht këtyre problemeve, drejtuesit e Adës kanë garantuar se skuadra do të vazhdojë të mbetet në kategori. Presidenti Pjetri ka thënë se po punohet për marrjen e disa lojtarëve dhe ka garantuar se skuadra edhe sivjet ashtu si gjithmonë nuk do të bjerë nga kategoria. “Pavarësisht çfarë thotë kryetari Ujka dhe çfarë mendon ai për sportin, Ada do të mbijetojë. Askush nuk mund ta hedhë poshtë atë kontribut shumëvjeçar që kemi dhënë për këtë skuadër dhe për këtë komunitet. Sëbashku me trajnerin Shaba po punojmë për marrjen e disa lojtarëve teksa kemi rënë dakord me dy malazezë si dhe do bashkëpunojmë me Vllazninë për të marrë futbollistë që nuk do jenë në planet e saj. Për një gjë duhet të jenë të sigurtë të gjithë: Ada as nuk ka rënë ndonjëherë nga kategoria dhe nuk do bjerë as këtë vit. Do mundohem që me Këshillin e Komunës të sigurojmë ndonjë fond për skuadrën dhe përpos kësaj, na është ofruar edhe një donator dhe me to, do bëjmë më të mirën e mundshme për Adën”- ka thënë presidenti Pjetri.Në këtë mënyrë, politika duket se po përzihet sërish tek sporti. Në vend që të kontribuojë për zhvillimin e tij, po ndodh e kundërta dhe kjo është e pafalshme.
Gjergj KOLA
FAQJA E PARE FUTBOLL - KATEGORIA E PARE “Bomba” e Pjetrit: Ujka më tha shkrije Adën se jam kundërshtar politik