Ze Maria ka “defektin” që të jetë gjith një i drejtpërdrejtë. Kur ishte trajner i Tiranës, nuk u kursye asnjëherë dhe sigurisht nuk mund të flasë ndryshe as tani. U vu në qendër të kritikave për startin jo të mirë të Tiranës këtë sezon dhe në fund iku. E megjithatë, as largimi i tij nuk rezultoi i dobishëm.

Bardheblutë nuk kanë marrë asnjë fitore në 8 javët e fundit, madje situata është përkeqësuar dukshëm. Braziliani refuzon të mbajë përgjegjësi për situatën, në të cilën janë sot 24 herë kampionët. Ai hedh akuza të forta në adresë të drejtorit sportiv, Arbi Laçi dhe nuk kursen as drejtorin e përgjithshëm, Hektor Çomo.

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, Ze Maria është i bindur se Tirana do të ndryshojë kur edhe menaxhimi të bëhet nga njerëz të tjerë. “Halili u tregua një kavalier i vërtetë, por nuk mund ta lërë klubin në dorë të një ish-kapo ultrasi. Ai nuk kupton asgjë nga futbolli”, thotë ish-trajneri i bardhebluve për gazetën.

Mister, Tirana nuk ka fituar asnjë ndeshje që nga koha kur ju jeni larguar. E keni idenë pse ndodh kjo?

Nuk e di, duhet të pyesni ata që bënë merkaton te Tirana gjatë verës. Pyesni Arbi Laçin, drejtorin sportiv…

Po ju si ish-trajner a keni përgjegjësi për ndërtimin e skuadrës? Kush e bëri merkaton gjatë verës?

Merkaton e bënë Arbi Laçi dhe Hektor Çomo. Unë në qershor u dhashë pozicionet dhe karakteristikat e futbollistëve që doja në skuadër. U sqarova edhe modulin me të cilin kisha ndërmend të luanim. Por, ata më thanë se këta ishin futbollistët dhe unë duhej të ndryshoja modul…

Kjo është edhe arsyeja se përse bënim kaq shumë ndryshime taktike gjatë kohës që isha unë. Duhej të gjeja modulin e duhur për lojtarët që më kishin lënë në dorë.

OK, por a bini dakord që mund ta keni dëmtuar klubin me ndonjë nga deklaratat e fundit që dhatë për merkaton kryesisht?

Deklaratat që kam dhënë, kanë qenë të drejta sepse ai (Arbi Laçi) vazhdonte të thoshte se kishte marrë lojtarët më të mirë në qarkullim, por sipas këndvështrimit të tij dhe jo sipas karakteristikave që u dhashë unë…

Si u ndatë me Refik Halilin?

Si dy kavalierë të vërtetë. Me shumë qetësi zgjidhëm gjithçka. Besoj se të dyja palët u sollën vërtet si kavalierë.