Makineria e golave të Bajernit të My nihut dhe Anglisë, Herri Kejn, po synon një rikthim në Premier Ligë sezonin e ardhshëm dhe mund ta mbyllë karrierën e tij me Liverpulin, sipas një lajmi që vjen nga Spanja.

Kapiteni i “Tre Luanëve”, i cili u largua nga Totenhemi për t’iu bashkuar Bajernit të Mynihut për 100 milionë paund në vitin 2023, ka shënuar 76 gola në 82 paraqitje për gjigantët gjermanë dhe vazhdon të mos tregojë shenja ngadalësimi edhe në moshën 31-vjeçare. Ai e tundi rrjetën edhe në ndeshjen e fundit me kombëtaren, kundër Shqipërisë në “Uembli” të premten dhe është në rrugën e duhur për të fituar titullin e Bundesligës këtë sezon, trofeu i parë i madh në karrierën e tij.

Por sipas gazetës spanjolle “El Nacional”, ai mund të vulosë një lëvizje shokuese në “Anfield Road” këtë verë. Sulmuesi e ka ndihmuar Bajernin këtë sezon që të jetë në krye të tabelës së Bundesligës, gjashtë pikë më shumë se skuadra e vendit të dytë, kampionët në fuqi të Bajer Leverkusenit. Anglezi ka luajtur një rol të madh në suksesin e tyre, me 21 gola në Bundesligë deri më tani, më shumë nga çdo lojtar tjetër.

Por “El Nacional” këmbëngul se burime të afërta me sulmuesin kanë thënë se ai po mendon seriozisht të rikthehet në Premier Ligë, për ta mbyllur karrierën e tij në Angli. I njëjti burim informacioni këmbëngul se kryesuesit e Premier Ligës janë favoritët për të firmosur me lojtarin, ndërsa kërkojnë një numër 9 për sezonin e ardhshëm.