Pas dhimbjes së madhe që shkaktoi humb ja e finales së Superkupës së Italisë dhe për këtë mjafton të shohësh një Kristiano Ronaldo gati në lot, Juventusi ka vendosur që t’i bëjë vetes një dhuratë të madhe, një blerje që sigurisht pritet të zyrtarizohet, por duke u qëndruar burimeve të “TuttoSport” dhe “Corriere dello Sport”-it, gjithçka është finalizuar dhe mungojnë vetëm firmat.
Ngushëllimi i “Zonjës së Vjetër” dhe i tifozëve bardhezinj ka një emër konkret, Erling Braut Haland, sulmuesi anglo-norvegjez i Salzburgut, i cili ishte pa dyshim edhe surpriza më e madhe e kësaj faze të parë të këtij sezoni, duke nënvizuar vetëm se në 22 prezenca ka realizuar 28 gola (16 gola në 14 ndeshje të kampionatit austriak; 4 gola në 2 ndeshje të Kupës së Austrisë dhe 8 gola në 6 ndeshje të fazës së grupeve në Champions).
Tashmë, pritet vetëm që trajneri Mauricio Sarri dhe futbollistët e tij, të hapin në ditët në vazhdim dhuratën që do të gjejnë poshtë bredhit, brenda së cilës pritet që të jetë sulmuesi i datëlindjes 2000.
AKORDI ME RAIOLËN
Juventusi, në mënyrë të papritur, njësoj si një vetëtimë në qiell të hapur, ka vendosur që të djegë konkurrencën e ashpër të gjysmës së Europës. Nëse për Halandin në ditët e fundit ishin afruar skuadra si Lajpcigu, Borusia e Dortmundit, Reali etj, por me Mançester Junajtid mbi të gjitha, të cilët u përfol se e kishin siguruar madje edhe për më shumë se dyfishin e klauzolës së tij (kishin ofruar shifrën e 75 milionë eurove), ka qenë menaxheri Mino Raiola ai që vendosi t’i ndryshojë të gjitha letrat në tavolinë.
Agjenti i mirënjohur italian, i cili njihet për miqësinë e fortë me zëvendëspresidentin bardhezi, Pavel Nedvd, ka ditur se si ta ndërrojë mendjen e Halandit dhe të babait të tij që e ka ndjekur gjithmonë nga pranë, për ta bindur që të firmosë me Juventusin. Bardhezinjtë jo vetëm që nuk do të bëjnë çmendurinë e Mançester Junajtid, por do të paguajnë vetëm shifrën e klauzolës së 19-vjeçarit, prej 30 milionë eurosh dhe për të ruajtur marrëdhëniet e mira me klubin e Salzburgut do të shtojnë vetëm pak miliona të tjerë në formë bonusesh.
Ndërkohë, siç ka ndodhur shpesh që nga Pogbaja e deri te De Ligti, kampionët e Italisë do t’i bëjnë sigurisht një “pako” shumë të madhe Mino Raiolës, për këtë marrëveshje, brenda së cilës pritet të gjendet një shifër prej 11-12 milionë eurosh, si bonus për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje.
Shkurt dhe qartë, me një driblim të papritur, Raiola dhe Haland kanë nxjerrë blof qoftë dy gjermanët, qoftë Dortmundin ashtu sikurse Lajpcigun, skuadra që Haland i kishte takuar në javën e kaluar, por në të njëjtën kohë edhe Mançester Junajtidin e Ole Gunar Solskjaerit, me këtë të fundit që shpresonte te miqësia e fortë që kishte me babain e futbollistit dhe faktin që e kishte stërvitur vetë Erlingun, te Molde.
Ndërkohë, shumë shpejt pritet që të jetë Juventusi klubi që do të hapë shampanjën për këtë goditje madhështore, me Halandin që pritet të forcojë edhe më shumë nga janari e në vazhdim repartin ofensiv të ëndrrave që deri tani formohet nga Paulo Dibala, Kristiano Ronaldo, Gonzalo Higuain, Federiko Bernardeski dhe Duglas Kosta.