E bëri përsëri! Robert Levandovski është sërish “Këpuca e Artë” e Bundesligës. Me 22 gola, sulmuesi polak shpallet për herë të katërt bomberi më i mirë i kampionatit gjerman: pas sezonit 2013-’14 (20 gola), 2015-’16 (30) dhe 2017-’18 (29), duke i rrëmbyer trofeun këtë sezon dortmundasit Pako Alkaser (18 gola).

Pas vërshëllimës finale të ndeshjes së fundit kundër Frankfurtit, Levës iu dorëzua nga revista “Kicker” trofeu i famshëm i “Topit”. “Është gjëja më e mirë kur ne shpallemi kampionë të Gjermanisë dhe unë fitoj trofeun e golashënuesit më të mirë. Të dy titujt së bashku janë perfektë”, tha sulmuesi 30-vjeçar.

Me trofeun e katërt të “Këpucës së Artë”, ai lë pas shefin e bordit të Bajernit, Karl-Hainc Rumenige dhe Ulf Kirshtenin (e kanë fituar nga tri herë) dhe përpara ka vetëm legjendën Gerd Myler, i cili e ka bërë të tijin plot 7 herë.

“Është një nder i madh për mua që qëndroj pas këtyre legjendave. Gerd ka 7, kështu që më mungojnë ende edhe disa”, shtoi kapiteni i kombëtares polake, i cili ka shënuar 202 gola në 289 ndeshje në Bundesligë, duke u renditur në vend të pestë në listën e golashënuesve më të mirë të historisë së kompeticionit, pas Manfred Burgsmyler (217), Jup Hajnkes (220), Klaus Fisher (268) dhe bomberit Myler (365 gola).

Prej fillimit të muajit mars, Leva është në vend të parë në listën e golashënuesve më të mirë të huaj të Bundesligës. Ai kaloi Klaudio Pizarron me 196 gola. Trofeu i katërt do të vendoset përkrah tre të tjerëve në palmaresin personal të lojtarit, i cili do të hapë vend që ai të mos jetë i fundit: “Unë kam gjithnjë vend për një trofe”.