Zbigniew Boniek, zv.presidenti i UEFA-s, komentoi për gazetën “Il Messaggero” lirimin nga akuzat e Michel Platini, ish-shokut të tij të ekipit nga viti 1982 deri më 1985: “Jam i kënaqur me këtë përfundim. Kam qenë gjithmonë mik i tij, edhe në momentet më të vështira.
Kam qenë gjithmonë i bindur se ai nuk ka bërë asgjë për ta merituar të gjykohej siç ka ndodhur. Kandidatura e tij për kreun e FIFA-s nuk i pëlqente një grupi të caktuar që filloi të nxirrte akuzat dhe dokumentet që nuk kishin asnjë vlerë.
Si i kaloi këto 10 vite? Ngritën një zhurmë të madhe, ia shkatërruan jetën futbollistike dhe atë si drejtues i nivelit të lartë. Ishin 10 vite vuajtje dhe tani është shpallur i pafajshëm. Nuk e di nëse kjo do t’i japë kënaqësi të madhe. Ai është një figurë shumë e madhe, një nga lojtarët më të mirë të viteve ’80 dhe një drejtues i madh”.
Polaku u pyet nëse Platini do të ketë mundësinë të kthehet në futbollin ndërkombëtar në një rol tjetër: “Nuk besoj se ai do të dëshirojë të bëjë diçka. Kohën e ka kaluar, ndihet mirë siç është tani. E ka marrë këtë kënaqësi personale, përfundimisht është pastruar nga e gjithë balta që i është hedhur.
Herë pas here e ndjen këtë dhe kam kuptuar që nuk ka shumë dëshirë të kthehet. Mendoj se do të mbetet vetëm kënaqësia me ndërgjegjen se ia kanë vjedhur skenën. Tifozët duan ta shohin president nderi të Juventusit? Nuk besoj se kjo do t’i kompensonte asgjë nga ajo që ka kaluar”.