Opinion nga Çlirim Basha

Triumfi i mbrëmshëm i Borusias së Dortmundit ndaj “milionerëve” të Realit të Madridit, nxorri edhe njëherë në dritë idenë se jo gjithmonë vendosin eurot apo dollarët. Gjermanët me Bajernin por sidomos me Borusian, i dhanë leksion gjithë botës së futbollit. Unë e kam thënë edhe disa kohë më parë që Vllaznia duhet “të kopjojë” mënyrën si ka punuar këto vitet e fundit Borusia e Dortmundit dhe suksesi i fundit i saj, ma ka përforcuar edhe më shumë këtë ide.

Shkodra dhe Vllaznia duhet të bazohen tek lojtarët e rinj përderisa nuk i kanë financat e mjaftueshme për të ndërtuar një ekip pretendent për titull. Duke aktivizuar të rinjtë, normal që ata luajnë lirshëm sepse nuk kanë se çfarë të humbasin. Ata kanë talent dhe kështu ecën futbolli.
Po si ka punuar Borusia për përzgjedhjen e këtyre të rinjve që deri një apo dy vjet më parë si njihte askush? Kuptohet që kanë vendosur politikat e klubit dhe aftësia e menaxherit për të përzgjedhur lojtarët e rinj që kanë patur dëshirë të spikasin. Projekti i kësaj skuadre ka filluar me të rinjtë para 3 vitesh edhe kur erdhi trajneri Klop, kjo ide u përforcua sepse ai i donte të rinjtë.
Edhe kështu filloi imazhi i tyre, sa ma shumë të rinjë të talentuar për të ardhmen por ata dhane menjëherë, qysh vitin e parë maksimumin duke mbërritur tek suksesi.
Në kushte të tilla, unë them se nëse Vllaznia do të ndjekë këtë politikë, ka për t’ia dalë. Të rinjtë kësaj skuadre dhe këtij qyteti nuk i kanë munguar kurrë. Ata nuk kanë çfarë humbin, do kenë vetëm 2 ose 3 ndeshjet e para vështirësi, por në qoftë se e kanë talentin, ata shpërthejnë vetë medoemos. E them këtë sepse talenti i futbollistit shihet në fushën e lojës në qoftë se trajneri ta jep besimin dhe të aktivizon, mandej është në dorë të lojtarit sa mund të japin ai për ekipin.
Nëse Dortmundi e filloi me shumë të rinjë dhe ja doli që në vitin e parë sepse shpërthyen të gjithë për një herë, tek Vllaznia nuk do bëhej nami nëse do prisnim dy apo tre vite.
A ka të rinj të talentuar Shkodra?
Ajo ka pasë gjithmonë. Kjo është e padiskutueshme sepse vllaznia ka nxjerrë gjithmonë talenta dhe ka për të nxjerrë por pyetja është se sa punohet dhe sa mendohet për këto talenta sepse dëgjoj shumë prej shokëve dhe miqve në Shkodër, se “ky është super”, “ai është super” por nuk aktivizohen, nuk i jepet dora dhe ata digjen. Për këto talenta mund të jetë punuar shumë, mund të jetë derdhur djersë e madhe dhe të digjen është gabim them unë.
Kjo sepse me një talent i ri duhet punuar edhe nga ana psikologjike sepse ka tipa e tipa djemsh të rinj që janë të ndryshëm në mendime, disa e marrin lehtë dhe disa seriozisht talentin e tyre.
Por gjithmonë duhet punuar edhe nga ana psikologjike me këto talenta që t’i jepet edhe shansi në fushë në mënyrë që ai ta ketë në kokë gjithmonë atë mendim të mirë se po punohet me të shumë dhe ai duhet t’ia shpërblejë ekipit, trajnerit edhe gjithë sportdashësve.
Kush mund të jetë trajneri?
Padyshim që duhet të jetë shkodran. Boll janë bërë eksperimentime me trajner “jabanxhinj”. Duhet nji shkodran sepse ka edhe ai atë mentalitet si lojtari por trajneri duhet të jetë i rreptë me të gjitha rrethanat sa i përket ekipit. Kush mund të jetë ky trajner? Mendoj se Shkodra ka boll të tillë. Duke filluar nga Astrit Hafizi, Artan Bushati, Hysen Dedja, madje nuk e kuptoj pse Hysen Zmijani nuk po merret me trajnim të ekipeve. Kurrsesi pa lënë jashtë Armando CUngun që po bën një punë shumë të mirë me Kukësin. Nga kontaktet që kam patur kohë më parë me të, kam vërejtur një pasion të jashtëzakonshëm tek ai për të punuar me elementin e ri. Trajneri duhet të jetë edhe i rreptë por edhe i dashur. Natyrisht pa qenë egoist por të punojë me ndërgjegje të madhe dhe të pastër. Mendoj se është gjynah që Shkodra të mos jetë në Kupat e Europës çdo sezon. Nuk duhet lejuar më largimi i të rinjve duke prishur strukturën e skuadrën nga viti në vit. Nëse ndërtojmë një skuadër ashtu si Dortmundi, natyrisht që do ketë vend edhe për të përfituar të ardhura por edhe për të ndërtuar një ekip pretendent prandaj duhet të mos humbim më kohë por të mendojmë një projekt serioz për të ardhmen.