Me emërimin e Niko Kovaç në pankinën e Borussia Dortmundit, fati i tre lojtarëve veteranë të ekipit mund të ndryshojë në verë, kur klubi do të duhet të vendosë nëse do t’u zgjasë kontratat, të cilat skadojnë në 2026, apo do t’i lërë të largohen.
Lojtarët në fjalë janë: mbrojtësi Niklas Süle dhe mesfushorët Julian Brandt dhe Emre Can, ky i fundit edhe kapiteni i ekipit gjerman.
Që në fillim, Kovaç i ka dhënë besimin e plotë Emre Can, duke e konfirmuar si kapiten, dhe e ka vlerësuar si një lider absolut të ekipit. Megjithatë, paraqitjet e tij të luhatshme e vënë në dyshim të ardhmen e tij te Dortmundi, veçanërisht duke marrë parasysh pagën e lartë prej 8.5 milionë eurosh në sezon.
Çështja e Niklas Süle
Sa i përket mbrojtësit Niklas Süle, situata është e ndërlikuar për shkak të problemeve fizike. Ai vuan nga një dëmtim në ligamentin sindesmotik, pas një problemi në kyçin e këmbës, që e ka lënë jashtë fushave që nga mesi i dhjetorit, me rikthimin e tij ende të pasigurt.
Kovaç, i cili e ka trajnuar më parë te Bayerni, e vlerëson shumë dhe e konsideron ende një lojtar të nivelit të lartë, por sipas Bild, nëse klubi vendos të zgjasë kontratën e tij, do të kërkojë të përgjysmojë pagën e tij aktuale prej 14 milionë eurosh në vit.
E ardhmja e Julian Brandt
Për sa i përket Julian Brandt, ish-trajneri Nuri Sahin kishte kërkuar rinovimin e kontratës së tij, por me ardhjen e Kovaç gjërat mund të ndryshojnë, sidomos për shkak të paraqitjeve të tij jo të kënaqshme kohët e fundit.