Opinion nga Engjell Gjolaj
Si shumë dashamirës të Vllaznisë, padyshim që edhe unë ndjehem keq kur e shoh atë duke vuajtur. Ndonëse ndodhem prej disa vitesh në Itali bashkë me familjen time, vëmendja nga skuadra ime e zemrës nuk hiqet asnjëherë. Ndjek çdo ndeshje të saj, ndjek me interes të madh lajmet që dalin çdo ditë për skuadrën shkodrane dhe padyshim që ndjehem keq. Dikush fajëson kolegët e mi gazetarë që nuk i gjejnë zgjidhje këtij realiteti të hidhur.

Çfarë duhet të shkruajnë ato në këtë gjendje? Ku duhet t’i gjejnë ato fjalët e duhura? Në fakt, ato kanë 5-6 vite që e bëjnë këtë gjë por janë të pafuqishëm për t’i gjetur zgjidhjen e duhur Vllaznisë.

Por nuk është faji i gazetarëve. Këtij klubi nuk po arrin t’i japë zgjidhjen e duhur askush. Flitet për privatizim, flitet për procedura por deri më tani asgjë. Unë realisht habitem me këtë indiferencë.Sot në Botë po i gjejnë ilaçin edhe një sëmundje të rëndë siç është kanceri, ndërsa në Shkodër nuk po i gjejnë ilaçin Vllaznisë! Ky është absurditet. Tifozët e shumtë të kësaj skuadre ndjehen keq. Jo vetëm ata që ndodhen në këtë qytet e rrethina por edhe ne emigrantët që jemi të hapur nëpër Botë. Unë personalisht kurrë nuk e kam pa këtë skuadër në një gjendje të tillë kaq të rëndë. Kjo Vllazni po na plagos zemrat të gjithëve! Nuk gjej fjalë shëruese. Çfarë bëjnë drejtuesit e klubit? Pas 20 vitësh nuk gjendet një sponsor për këtë skuadër! Shpresoj që sezonin tjetër të gjendet zgjidhja e duhur e unë të gjendem pranë mikrofonit të radios e të shprehim emocionet e Vllaznisë së vjetër. Të mos harrojmë emocionet që përjetonim nga transmetimet radiofonike të ndeshjeve nga kolegët e mi, i ndjeri Ymeri Striniqi dhe Pal Toma. Unë ende kujtoj një koment të kolegut tjetër Pjerin Pogu i cili në një ndeshje ku Vllaznia po fitonte ndaj Lushnjës e ai thoshte: “4-0 në mbërthim të lushnjarëve”.
*Gazetar sportiv