Vëmendja e gjithë komunitetit të sportit dhe në veçanti të futbollit në këtë muaj do jetë në Katar. Kjo pasi do luhet kampionati botëror i futbollit nga data 20 nëntor deri në 18 dhjetor, ku do mblidhen skuadrat kombëtare më të forta në glob për të tentuar trofeun më të lakmuar në futboll.
Superliga, ashtu si thuajse gjithë kampionatet në Europë do jetë pushim këtë periudhë, duke lënë kështu hapësirën për kompeticionin më të rëndësishëm. Por edhe në vendin tonë luajnë shumë futbollistë që kanë përfaqësueset e tyre të origjinës që marrin pjesë në Botëror,
Kështu janë brazilianët të huajt që dominojnë në futbollin tonë, më kombëtaren e tyre që është një nga pretendentet kryesore për të ngrituar trofeun në fund. Janë plot 16 futbollistë nga vendi i sambas që luajnë në Superiore, të shpërndarë në të gjitha skuadrat tona.
Pas tyre me një ekip në Botëror janë futbollistët kroatë, janë 5 të tillë që luajnë në Superligë këtë sezon dhe që patjetër do bëjnë tifo për Modriç me shokë. Po ashtu janë edhe 3 futbollistë serbë që luajnë në Shqipëri, por që dje me siguri do kenë dalë të mërzitur nga humbja e kombëtares së tyre përballë Brazilit në shifrat 2-0. Edhe kombëtaret afrikane kanë mbështetje nga lojtarët e Superiores.
Një ndër to është Gana, ku 3 futbollistë nga vendi afrikan aktivizohen në Superiore. Po ashtu nga ekipet kombëtare që marrin pjesë në Botëror dhe që kanë lojtarë nga këto vende në kampionatin tonë janë edhe Portugalia me 2 lojtarë, Senegali me 2 futbollistë dhe Polonia dhe Anglia me nga një përfaqësues në futbollin tonë.
Tashmë duhet të presim datën 18 dhjetor se cili prej këtyre futbollistëve do gëzohet nësë skuadra e tyre kombëtare do triumfojë në Botërorin e Katar 2022.
Endri ÇINARI